Humbja e Orban në zgjedhje, reagon Rama: I uroj mikut tim Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij

Nga A2 CNN
13 Prill 2026, 15:52 | Politikë

Humbja e Orban në zgjedhje, reagon Rama: I uroj mikut tim Viktor

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X për humbjen në zgjedhjet parlamentare të homologut hungarez, Viktor Orban.

“Ishte një kënaqësi të punoja me Kryeministrin Orban dhe të dëshmoja se si afroheshin Shqipëria dhe Hungaria. I uroj mikut tim të mirë Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij”, shkruan Rama, përcjell A2 CNN.

Ai gjithashtu përgëzoi kryeministrin e zgjedhur të Hungarisë. “Në të njëjtën kohë uroj ngrohtësisht Peter Magyar për fitoren vërtet mbresëlënëse. I uroj kryeministrit të ri të zgjedhur të Hungarisë sukses në këtë nismë të madhe për të hapur një kapitull të ri për vendin e tij dhe mezi po pres të punojmë bashkë për të afruar edhe më tepër dy vendet tona”.

Pas 16 vitesh në pushtet, kryeministri nacionalist Viktor Orbán ka humbur zgjedhjet përballë partisë së re të qendrës së djathtë, Tisza, duke shkaktuar një tronditje të fortë politike si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Fitues i zgjedhjeve është lideri 45-vjeçar Peter Magyar, i cili siguroi një shumicë të rehatshme prej 138 vendesh në parlamentin me 199 vende. Rezultati i jep atij mundësinë të ndërmarrë reforma të thella, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe luftën kundër korrupsionit.

Pjesëmarrja rekord në votimin e së dielës tregoi se sa shumë hungarezë i panë zgjedhjet si një moment vendimtar për vendin e tyre. Në Budapest, mijëra mbështetës festuan fitoren e Tisza-s përgjatë brigjeve të Danubit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos