Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, kërkoi që ne dy seancat e mbetura në Kuvendin e Shqipërisë, para nisjes së sesionit të ri, të votohet projektligji i propozuar nga opozita që në Shqipëri të njihej vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.
“Është një ligj thelbësor, që Presidenti Trump e kaloi në një nga 7 vendimet e para që mori pas fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke i dhënë rëndësinë që duhet. Ju kërkoj, si një nga fimrëtarët e atij projektligji, ta kalojmë menjëherë. Ju ftoj ta kalojmë këtë ligj në seancat e mbetura të këtij Kuvendi. Pastaj me votë, ju mund të bëni çfarë të doni, unë i di prirjet tuaja, i di tendencat tuaja për të goditur familjen. Por dilni nga veta juaj, ta miratojmë këtë ligj, se do të jetë në nderin e këtij Parlamenti”, tha Shehu në fjalën e tij në Kuvend.
“Të gjitha nismat e deputetëve janë në kalendar. I takon kryetarëve të komisioneve të shqyrtojnë nismat sipas radhës. Po mos e përdorni këtë foltore për të folur për nisma që nuk kanë lidhje me aprovimin dhe kundërshtimin tonë, jeni duke paragjykuar. Jeni duke folur për të drejtat e njeriut, por kjo s’ka pikë rëndësie”, iu përgjigj kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. (A2 Televizion)