Shkollë për deputetët e rinj të PS, Malaj: Ata janë pa integritet, ulin kokën kur i del përballë

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 11:24 | Politikë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, komentoi shkollën ku Partia Socialiste do të dërgojë deputetët e saj të rinj.

“Lufta e klasave në Shqipëri nuk ka mbaruar. Por, nuk është si në kohën e komunizmit, që të dënonin dhe të fusnin në burg. Apo të transferonin nga Tirana në Poçem. Por, është e turpshme që njerëz që i ke promovuar vetë, ngaqë nuk e dinë se si e ka udhëheqësi me ty, kur të dalin përballë ulin kokën. Kjo është mungesë integriteti dhe pa integritet nuk bëhet dot individi dhe as shoqëria. Aq më pak qeveria, që pa integritet bëhet abuzuese dhe jo kontribuuese”, tha Malaj.

“Kjo shkollë nuk më duket ndonjë gjë e madhe. Akademia Politike aty ka qenë. Çfarë do të mësojnë ligjvënësit aty? Çfarë do të përfitojnë me dy javë trajnim? Këto janë më tepër marketing për të mbuluar thelbin e problemeve. Nëse duam të mendojmë për deputetët tanë, Akademia duhet ta nisë edukimin e politikanëve të rinj në çdo nivel, jo vetëm deputetë e ministra. Para se të futen në politikë, detyrimisht duhet të kenë “bachelor” në filozofi dhe psikologji. Këto janë armët që të duhen për të shërbyer si përfaqësues politik”, shtoi Malaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos