
Pas reagimit për A2 CNN nga zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka ardhur një tjetër kundërpërgjigje nga deputeti demokrat Belind Këlliçi, në lidhje me mesazhet e publikuara, ku pretendohet se ministri i ka quajtur shqiptarët “idiotë”.
Në një postim në Facebook, Këlliçi shprehet se incidenti nuk mund të mbyllet me justifikime apo me fshirje mesazhesh, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të etikës.
Ai gjithashtu ka publikuar foto të bisedave (screenshot-e), ndërsa shton se mesazhi në fjalë është fshirë më pas nga ministri.
Ai akuzon Hoxhën se ka fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në komunikimet e tij, ndërsa shton se përpjekjet për ta mohuar nuk e zbehin situatën.



Postimi i Belind Këlliçit
Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke genjyer me zëdhënës për media.
Gjurmët e tua janë aty, tek grupi "Ambasadorët".
Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin.
Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim.
Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë.
Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne. (A2 Televizion)