Kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të opozitës, mbledhja e Sekretariatit të Etikës shtyhet për të martën

Nga Fjorela Beleshi
19 Dhjetor 2025, 09:41 | Politikë

Kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të

Është shtyrë për të martën, në orën 10:00, mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohet kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, pas skenave kaotike të ditës së enjte në seancën plenare, raporton A2 CNN.

Vendimi u mor për t’i dhënë kohë deputetëve që të njihen me provat. Opozitarët kërkuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura për mediat. “Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike”, citohet të ketë thënë deputeti i PD, Saimir Korreshi, në mbledhje.

Të enjten, pak orë pas mbylljes së seancës, Partia Socialiste paraqiti kërkesë për përjashtimin nga punimet e Kuvendit me 60 ditë për deputetët Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Fidel Kreka, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, Klevis Balliu, dhe Flamur Noka.

Gjithashtu PS kërkoi përjashtimin për 30 ditë për deputetët e tjerë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi.

Përjashtim me 10 ditë u kërkua për deputetë të tjerë, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.

“Seanca Plenare e datës sotme ishte një seancë me shumë akte dhune dhe incidente të rënda deri në hedhje të lëndëve piroteknike në sallë dhe të sendeve të tjera të forta kundër Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Siç duket qartë nga pamjet bashkangjitur kësaj kërkese dhe pamje të tjera të bëra publike nga mediat ky skenar dhe këto akte dhune kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura më parë”, tha zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjona Ismaili. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos