Politologu Afrim Krasniqi ka komentuar protestën dhe incidentet e opozitës në Kuvend, duke theksuar se qëllimi kryesor i Partisë Demokratike ka qenë të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare dhe të mobilizojë strukturat e saj për protestën e paralajmëruar më 22 dhjetor. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Krasniqi u shpreh se ngjarja është pasqyruar gjerësisht nga mediat e huaja, por jo në mënyrën që pretendon opozita.
Sipas tij, lajmi që ka qarkulluar në mediat ndërkombëtare nuk ka qenë protesta në vetvete, por incidenti i lidhur me një skandal korrupsioni në nivele të larta të qeverisë.
“PD-ja ka dashur të japë dy mesazhe. E para, për të dalë në lajmin ndërkombëtar dhe ka dalë. Por nuk ka dalë protesta, ka dalë incidenti për shkak të skandalit korruptiv. Të gjithë thonë: një zëvendëskryeministre është përfshirë në skandal dhe parlamenti ka krijuar incident”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se mesazhi i dytë lidhet me mobilizimin politik në prag të tubimit të paralajmëruar.
“PD-ja ka nevojë të mobilizojë strukturat e veta për mitingun që ka lajmëruar të hënën. Tradicionalisht, sa herë ka pasur mitingje të mëdha, kanë paraprirë incidente parlamentare”, u shpreh politologu.
Nga ana tjetër, Krasniqi kritikoi ashpër gjuhën e përdorur nga mazhoranca, veçanërisht shprehjen “qentë le të lehin, karvani ecën përpara”.
“Nuk mund t’u thuash gjysmës së shqiptarëve që mendojnë ndryshe se janë ‘qenë’. Është një shprehje mesjetare, fyese dhe denigruese për shoqërinë shqiptare”, theksoi ai.
Krasniqi ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e transparencës institucionale, duke thënë se Byroja e Kuvendit dhe Konferenca e Kryetarëve duhet të kishin sqaruar procedurat, materialet nga prokuroria dhe mënyrën se si do të informoheshin qytetarët.
“Asgjë nuk është sqaruar. I vetmi njoftim është se ka një dosje të futur në kasafortë sekrete, që do të hapet nesër, ndërkohë që opozita përjashtohet nga procesi”, deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, mënyra se si po menaxhohet situata vetëm sa e thellon krizën politike dhe dëmton seriozitetin e institucioneve. (A2 Televizion)