Këshilltarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, gjatë intervistës në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, foli për buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, me vlerë rreth 400 milionë euro.
Zhulali e cilësoi procesin e miratimit të buxhetit problematik, jo për mungesë legjitimiteti formal, por për mungesë transparence dhe dialogu. Ajo theksoi se amendamentet e paraqitura nga këshilltarët e djathtë, gjithsej 29 propozime, nuk u lejuan as të lexoheshin dhe as të votoheshin në Këshillin Bashkiak, duke e konsideruar këtë shkelje të rregullores dhe ligjit.
Sipas saj, buxheti është “i majmë”, por nuk reflektohet në shërbime konkrete për qytetarët. Një nga shqetësimet kryesore të ngritura ishte situata e të paktën 400 familjeve në Tiranë, të cilat, pas tërmetit të vitit 2019, kanë mbetur pa banesë dhe pa asnjë perspektivë zgjidhjeje, pasi portali i aplikimeve është mbyllur që në vitin 2020.
“Patëm familje të cilat ishin prekur nga tërmeti i 2019-s, por që ende nga një zyrë në tjetrën dhe nuk marrin përgjigje për shqetësimet e tyre. Dhe çfarë doli nga ajo dëgjesë që është një realitet për të cilin nuk flet askush dhe është e tmerrshme, janë minimumi 400 familje në Tiranë, të cilat nuk kanë arritur që të aplikojnë në kohë në vitin 2020 kur u hap një portal i qeverisë për banesa të reja ose kanë qenë në procese kur këto pallate duhet të vlerësoheshin edhe njëherë nëse duheshin shembur apo jo. Tani meqenëse ky sistem është mbyllur që në 2020-ën nga qeveria, këta nuk aplikojnë dot për një banesë të re, pra nga procesi i rindërtimit, por nuk përfitojnë dot as bonusin e qirasë dhe askush nuk u jep drejtim. As bashkia nuk tregohet e sinqertë dhe e vërtetë me banorët u thuhet po do ta zgjidhim dhe askush nuk thotë se çfarë zgjidhje do t'u jepet”, tha Zhulali.
Zhulali reagoi ashpër ndaj debatit për pagën e kryebashkiakut Erion Veliaj. “Është e papranueshme dhe për mua është ofendim që të diskutoj a duhet të marri zoti Veliaj rrogë. Zoti Veliaj duhet të japë dorëheqjen dhe jo vetëm kaq, duhet të ishte shkarkuar nga këshilli Bashkiak për shkelje të rënda ligjore”, tha ajo. (A2 Televizion)