Gazetari Bledian Koka debatoi ashpër me ish-ministrin e Financave Arben Malaj, kur ky i fundit po fliste mbi misionin që duhet të kenë partitë politike shqiptare.
Koka: I patë kriminelët që iu morën partinë tuaj dhe nuk thatë gjysmë fjale. Na bëni edhe moral tani. Mirë që jua kursyem se s'flisnit fare, se flisnim ne për ju, ziheshim ne me kriminelët e partisë suaj, por vini na bëni tani sikur këtë gjë e ka bërë PD-ja. Nuk ka asnjë ligj dhe nuk ka asnjë ndryshim kushtetues zoti Malaj që i përcakton vullnetin një kryetari partie të fusë kriminelë apo intelektualë në parti. Dhe e vërteta është që Partia Demokratike nuk ka pasur kriminelë.
Malaj: Unë të them fakte dhe faktet janë argument. Nëse ti nuk do argumenta, është faji yt. Hap arkivat e Parlamentit 2009-2013 dhe shiko si kemi debatuar me Sali Berishën për lidhjet me oligarkët. Ik, shikoji!
Koka: Çfarë të shikoj? Ke mbajtur ndonjë qëndrim për kriminelët që kishte partia jote? U mbush plot Parlamenti, që vazhdon edhe sot. Po që partia jote nga kriminelë ka përfunduar te fenomeni i Zegjinesë? Rri tani se betejat i kemi bërë ne këtu. U kujtuat të bëni politikë dhe vini sikur sapo keni dalë nga veza. S'dini fare çfarë ka ndodhur këto kohët e fundit.
Malaj: Unë i kam ndarë rrugët që në 2013, partia ime ishte PS-ja, pas 2013-s është Rilindja. Nëse nuk e bën dot këtë dallim, është faji jot. Unë kam inspiruar vetëm PS-në, nuk kam asnjë lidhje me Rilindjen. Kam qenë më kritik se ty.
Koka: Po pra, po pse u ndave nga partia? Kishte një arsye që u ndave nga partia? Berisha i tha Ramës që ta zëvendësonte Ben Malajn me Ben Ndokën?
Malaj: Ç’më duhet mua se me kë më zëvendësoi?
Koka: Ore, Sali Berisha mund të ketë shumë faje në këtë botë, o zotëri. Por, ne kërkojmë politikë europiane në një vend banal si Shqipëria. Ne po flasim për narkoshtet këtu tani. Ne po flasim për një vend i cili rezulton në të gjitha raportet ndërkombëtare serioze që është narkoshtet.
Malaj: Filloi si narkoshtet që në 2013-n. Nuk e mohon dot. Në 2009-2013 u lidh qeveria me krimin. Është fakt. (A2 Televizion)