“Në politikë vepron efekti i sustës”, Malaj tregon këshillën e Servet Pëllumbit

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 21:25 | Politikë

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, komentoi zërat mbi një heqje të mundshme të “non gratës” së Sali Berishës.

“Nuk është problemi kryesor i opozitës është apo s'është “non grata” lideri i saj. Problemi është që ajo parti, e cila inspiroi ndryshimin e madh që ndodhi në gjithë Lindjen dhe që do ndodhte edhe në Shqipëri, por gjithmonë ka një faktor politik që e përshpejton një proces, ishte shpresa dhe ëndrra se Shqipëria do bëhej si gjithë Europa. Pas vitit 1994, që dështoi Kushtetuta, i gjithë aparati shtetëror i Presidentit Berisha u vu në një pozicion armiqësor me pjesën tjetër të vendit, që ishte opozita. Dhe unë kam pasur fatin që të mësoj nga liderë politikë të PS-së, dhe një nga mësimet e vyera që kam marrë nga profesor Servet Pëllumbi, ishte këshilla që bënte dhe atëherë përballë Presidentit Berisha. Thonte: “Kujdes, se në politikë vepron efekti i sustës. Sa më shumë ta shtypësh një sustë, aq më shumë kërcen lart”. Dhe ajo që ka lënë si trashëgimi politike lideri i Partisë Demokratike është një dështim total në të gjitha aspektet”, tha Malaj në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Në lidhje me marrëdhënien me faktorin ndërkombëtar, Malaj u shpreh: “Nuk ka ndonjë manual diplomatik, por ka një parim vlerash. E para, duaje vendin tënd; e dyta, shërbeji me integritet vendit tënd; e treta, orientohu nga bashkëpunimi, jo nga grindjet. Në mënyrë që të arrish misionin për të cilin ti përbetohesh: të përshpejtosh integrimin, por mbi të gjitha të rritësh cilësinë e integrimit. Edhe sikur t'i hiqet “non grata” Sali Berishës, nuk sjell ndonjë ndryshim të madh, sepse zhgënjimin e ka me ndërkombëtarët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos