Analisti Lutfi Dervishi, duke folur në emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj në A2CNN, u shpreh se Gjermania nuk ka asgjë personale në raport me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kërkon standarde konkrete dhe përmbushje reale të reformave.
Sipas Dervishit, Gjermania ka qenë historikisht një nga mbështetëset kryesore të integrimit të Shqipërisë, por sot ndodhet përballë sfidave të reja dhe një realiteti të ndryshuar ndërkombëtar.
“Gjermania s’ka asgjë personale. Gjermania ka qenë mbështetëse e integrimit. Gjermania është sot vendi që i ka rënë një barrë tjetër mbi shpatulla, nuk është ajo Gjermani që ka qenë gjithmonë, që shkruante ceqet për të tjerët, sepse mbrojtjen e bënte Amerika. Amerika s’është më ajo që ka qenë. Është gjynah. Ti kishte një moment shumë të mirë, hape negociatat, bëre skanimin, hape kapitujt në kohë rekord, je pjesë e planit të rritjes, ke bërë disa samite në Tiranë, pse ia bën si ajo lopa që e mbush kovën me qumësht dhe pastaj i jep shkelmin. Ky është momenti i shkelmit pa asnjë arsye. Pjesa e luanit është vetë qeveria. Deri në tetor të vitit të kaluar po kjo opozitë ishte, po këto protesta bënte, po këto ambasadorë ishin. Është vetë pjesa e qeverisë dhe një çështje konkrete që u bë ndërkombëtare. Kur ai thotë test kritik, çfarë do diskutosh? Tjetra është kjo, nëse ke një plan për 2027 për të mbyllur kapitujt, unë nuk besoj se ne kemi kapacitetet administrative, institucionale, politike, shkencore, ekonomike, që gjatë këtyre dy viteve të mbyllim kapitujt, të bëjmë reformën zgjedhore, territoriale, etj. etj”, tha Dervishi. (A2 Televizion)