Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, theksoi se Shërbimi Informativ Shtetëror duhet reformuar dhe kjo gjë, sipas tij, duhej bërë që para 30 vitesh.
Lleshaj nënvizoi se “ndalimi i Shefit të Shërbimit Informativ është një ngjarje e paprecedentë”.
“Ne nuk duhet ta marrim lehtë këtë që po shohim, këtë që po zhvillohet ndërkohë që ne flasim. Pavarësisht se zëra të ndryshëm e përkthejnë në trajta nga më të ndryshmet. Disa e përkthejnë si një fitore të madhe, si një arritje të madhe; disa e përkthejnë si një gjëmë të madhe; disa ndoshta e shohin sikur nuk ka ndodhur gjë. Por, kjo është një çështje, një situatë e cila nuk mund të neglizhohet si zakonisht. Është një situatë e veçantë sepse kemi të bëjmë me një diçka të paprecedentë. Ndalimi i Shefit të Shërbimit Informativ është një ngjarje e paprecedentë. Ngado që ta marrësh, diçka është çmendur këtu: ose është çmendur shefja e Shërbimit Informativ ose është çmendur SPAK-u, ose janë çmendur të dy. Por, kjo gjë nuk është diçka që mund të kalojë me fjali të thjeshta dhe të përsëritura. Është një gjëmë e madhe. Shefi i Shërbimit Informativ të Shqipërisë është arrestuar për bashkëpunim me banda kriminale. Të paktën ky është dyshimi i Prokurorisë së shtetit shqiptar dhe i një gjykate shqiptare. Ndaj, kjo ngjarje meriton seriozitet në trajtim. Meriton një seriozitet që na ka munguar dhe vazhdon të na mungojë në mënyrë permanente, gjatë gjithë historisë tonë. Kërkohet seriozitet sepse nuk di se çfarë presim ne për t'u bërë serioze nëse pas më shumë se 100 vitesh shtet ende nuk trajtojmë me seriozitet diçka të kësaj natyre. Nuk mund të kalojë thjesht”, tha Lleshaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, Lleshaj shpjegoi hapat që duhet të ndërmerren: “Duhet së pari të përpiqemi të kuptojmë dy gjëra. Të bëjmë një ndarje të madhe të çështjes penale, me të cilën s'kemi punë sepse po merret prokuroria dhe gjykata. Por, kjo nuk është vetëm çështje penale. Është reduktim deri në nivelin e papërgjegjshmërisë ta quajmë vetëm penale. Kjo është në radhë të parë një çështje e shtetit, e politikës, e administratës, e moralit politik, e moralit shoqëror. Ka shumë dimensione të cilat duhen marrë në konsideratë. Më imediatja është të ruajmë Shërbimin. Në Këshillin e Sigurimit Kombëtar u dhanë ca këshilla elementare: “është mirë, të jemi mirë”. Ky ishte pak a shumë mesazhi. Rëndësia e dorës së parë sot është që të ndalojmë dëmin e mëtejshëm, sepse është konstatuar një çarje e madhe në sistemin e inteligjencës kombëtare. Pastaj duhet verifikuar deri ku ka shkuar dëmi. Duhet të dimë që Shërbimi jeton nga konfidenca, nga sekreti. Nëqoftëse ne kemi patur një shërbim prej të cilit kanë rrjedhur informacionet, besoj mund të kenë rrjedhur dhe informacionet për bashkëpunëtorët e tij, që do të ishte një goditje fatale për gjithë sistemin e sigurisë dhe të inteligjencës kombëtare. Duhet parë niveli i dëmit dhe duhet filluar puna për riparimin e tij”.
Sipas tij, ligji i Shërbimit Informativ të Shtetit bazohet në dispozitat kushtetuese të 1991, që ishin rrënojat e kushtetutës së 1976-ës të Enver Hoxhës.
“Pastaj, duhen bërë përmirësimet në sistem sepse ne kemi të bëjmë me probleme të vetë sistemit. Duhet një reformim dhe është dashur jo sot, por është dashur para 30 vitesh. Nuk është bërë. Shërbimi Informativ i shtetit shqiptar është themeluar me një ligj në vitin 1998, përpara se Shqipëria të bëhej me Kushtetutën që ka sot. Ligji i Shërbimit Informativ të Shtetit bazohet në dispozitat kushtetuese të 1991, që ishin rrënojat e kushtetutës së 1976-ës të Enver Hoxhës. Ky ligj i Shërbimit nuk ka lidhje me Kushtetutën tonë. I bazohet, i referohet një Kushtetute tjetër, të rrëzuar, dhe nuk është prekur kurrë. Është problem i madh sepse ky ligj i jep Shërbimit atribute të rrezikshme për të drejtat dhe liritë e njeriut në Shqipëri. Shërbimi ynë Informativ praktikisht është një shërbim që nuk kontrollohet nga askush. Ndërkohë, që një shërbim inteligjent, i një vendi normal demokratik, aq më tepër të një vendi të NATO-s, është institucioni më i kontrolluar i vendit, që kontrollohet nga disa nivele dhe nga disa këndvështrime. Madje, edhe publiku në shërbimet moderne ka të drejtën e kontrollit përmes përfaqësuesve publikë, sigurisht të aprovuar nga Kuvendi. Modelet e vendeve demokratike janë njëlloj dhe parimi numër një i tyre është përgjegjshmëria, llogaridhënia, kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli publik. Pra, disa nivele kontrolli në mënyrë që shërbimi të qëndrojë brenda hullive ligjore dhe të mos kompromentojë të drejtat e njeriut në funksion të sigurisë, sepse gjithmonë ka një balancë midis sigurisë dhe lirisë individuale. Këto gjëra nuk janë trajtuar dhe është nevojë imediate, kombëtare që këto gjëra të zgjidhen, sepse ajo që ndodhi është vetëm një episod i radhës që është kapur, që mund të ketë ndodhur dhe 100 herë të tjera dhe nuk është kapur”, shtoi ish-ministri i Brendshëm. (A2 Televizion)