Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, e shikon protestën e 10 shkurtit të Partisë Demokratike “si një rutinë” dhe shtoi se protestat në vendet si Shqipëria, me demokraci hibride, nuk sjellin ndonjë zhvillim të madh.
“E shoh si një rutinë, do vazhdojë për sa kohë ka konfliktualitet politik. Zakonisht përdoren protestat dhe janë përdorur në Shqipëri dhe vende si Shqipëria, ku ka demokraci hibride. Nuk sjellin ndonjë zhvillim të madh, por janë një mjet që partitë përdorin kur nuk arrijnë dot të artikulohen ndryshe. Në rastin shqiptar mendoj që është pak më e komplikuar sepse edhe në protesta janë të njëjtit individ, e njëjta retorikë, të njëjtat sjellje, gati-gati edhe të njëjtit pjesëmarrës dhe deri diku ne kemi humbur sensin e protestës. E vetmja protestë, e fundit që ne kemi pasur, ka qenë ajo e studentëve në vitin 2018-19, ku personalisht ka qenë e fundit që kam dalë. Këto të tjerat pastaj mendoj që nuk përbëjnë lajm të madh”, u shpreh Krasniqi në Off The Record me Andrea Dangllin.
“Nuk mendoj që Parlamenti është vendi ku opozita nuk ka akses. Opozita mund ta përdorë në mënyrë shumë të mençur, konstruktive, afatgjatë dhe strategjike Parlamentin. Por, në momentin që ngatërrohet sheshi me Parlamentin dhe Parlamenti me sheshin, atëherë krijohet një lloj ambienti që i shkon për shtat mazhorancës. Mazhoranca ka numrat, nuk do debat. Ka ardhur koha të gugëllojmë pak për të kuptuar si funksionon një parti në këtë shekull dhe në këtë lloj kohe dhe përballë këtyre sfidave. Sepse një parti duhet të mendojë gjithmonë që nesër mund të jetë në qeveri”, shtoi Krasniqi.
(A2 Televizion)