Jorida Tabaku zbulon ambicien për postet në PD: Më të madhen e realizova...

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 11:10 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se ambicia e saj më e madhe politike brenda PD-së është realizuar duke qenë kandidatja më e votuar nga demokratët në zgjedhjet e fundit. Në një deklaratë për A2 CNN, para nisjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Tabaku theksoi se për të nuk kanë rëndësi postet apo titujt brenda partisë, por fryma e ndryshimit dhe hapjes së saj ndaj qytetarëve.

“Unë në Partinë Demokratike kam qenë si me post si pa post. Në Partinë Demokratike kam qenë edhe kur jam ulur në një karrige edhe kur më kanë thënë rri në këmbë kam ndenjur në këmbë, sepse te kjo parti unë besoj ambicien time më të madhe, të them të drejtën, unë realizova vitin e shkuar, të jem më e votuar e demokratëve dhe ajo ambicie për mua ka më shumë rëndësi se çdo post në parti. Pastaj në fund të ditës ne në politikë nuk ka asgjë të keqe të kemi dhe ambicie për pozicione, sepse në politikë ti hyn edhe me një projekt tëndin në politikë për të ofruar një model ndryshe. Nuk ka rëndësi se çfarë do ndodhë javës tjetër. Rëndësi ka që unë do jem aty, kam qenë aty, do vazhdoj të jem aty dhe kjo ka ndodhur që unë kam qenë 16 vjeç”.

Deputetja demokratike vlerësoi ndryshimet statutore që pritet të miratohen në Kuvendin e demokratëve, duke veçuar rritjen e kuotës gjinore nga 30 në 40 për qind. Sipas saj, gratë dhe vajzat kanë nevojë për më shumë mbështetje për të qenë pjesë e vendimmarrjes politike, sidomos në zonat ku përfaqësimi i tyre mbetet i kufizuar.

“Koncepti im për kuotën në politikë ka ndryshuar me vite. Të them të drejtën, unë jam një nga ato që e kanë propozuar kuotën 40% për këto ndryshime statutore dhe e kam mbështetur dhe e mbështes. Mendoj që gratë e zonja nuk kanë nevojë për kuotë. Mendoj që kush është i mirë, kush ofron një model ndryshe, kush është i qëndrueshëm në punë, kush jep një imazh njerëzor për politikën, nuk ka nevojë për kuotën. Por në politikë, sidomos në atë shqiptaren, shpeshherë është shumë e vështirë që të shkosh te radha e parë. Në shumë qytete është shumë e vështirë që të kenë mundësinë që kam pasur unë në Tiranë ose që kanë pasur të tjerë në Tiranë. Kështu që ne kemi nevojë t'i ndihmojmë pak gratë edhe vajzat të dalin aty te rreshti i parë. Pastaj te rreshti i parë për sprintin e fundit jam e sigurt që ja dalin vetë. Ndoshta kuota është dhe paragjykim për pamundësinë e grave për t'ia dalë vetë”.

Sa i përket diasporës, Tabaku mbështeti kuotën 15 për qind të përfaqësimit në strukturat e partisë, si një hap të rëndësishëm për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në jetën politike të PD-së.

“Votimi i diasporës është një fakt, është një e drejtë kushtetuese që nuk ka kthim pas. Ne bëmë maksimumin për diasporën, por përballë edhe një sistemi që e trajtoi diasporën si votë edhe një punë e patronazhimi kapilar nga ambasada, nga shteti, ishte e vështirë që vota e tyre që u hodh në kuti të përkthehej në votë reale për qytetarët shqiptarë. Ky përfaqësim në Këshill Kombëtar, në kryesi dhe në të gjitha strukturat e partisë do i japë mundësi atyre që ta fillojnë punën në kohë dhe do t’i japim mundësi që ne të promovojmë modele qytetarësh në diasporë që nuk ja kanë dalë dot këtu dhe janë larguar edhe si një model për të qeverisjen e nesërme”.

Ajo theksoi se Partia Demokratike duhet të vijojë procesin e hapjes, ripërtëritjes dhe modernizimit, në mënyrë që të paraqitet si një alternativë bindëse për qytetarët shqiptarë dhe të kontribuojë në procesin e integrimit europian të vendit.

“Unë kam kohë që e them që Partia Demokratike ka nevojë të gjejë veten, ka nevojë të energjizohet, ripërtërihet, të ndryshojë, të hapet dhe nuk besoj që ka asgjë të keqe që një parti të ruajë vlerat, besimet, po edhe normat për të cilat është krijuar, por të hapet drejt qytetarëve shqiptarë. Për mua nuk ka rëndësi titulli, nuk ka rëndësi emri, rëndësi ka fryma që ne përçojmë tek njerëzit dhe mua më duket një mesazh i mirë, një frymë e mirë, po edhe një koncept që Partia Demokratike është gati, është këtu të ndryshojë, t'i përshtatet nevojave që ka sot shoqëria, të zgjerohet, të hapet dhe pse jo të jetë alternativa e shqiptarëve”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos