"Propaganda dështoi", Kedhi tregon është Kuvend i Ripërtëritjes së Rithemelimit...?

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 10:51 | Politikë

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike përfaqëson nisjen e një faze të re për demokratët. Kështu u shpreh një prej kandidatëve për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, sipas të cilit kjo është etapë e ripërtëritjes, hapjes dhe rinovimit të partisë.

"Unë jam një nga kandidatët për Këshillin Kombëtar dhe gjithashtu do kemi fjalë për alternativën e Partisë Demokratike, vizionin e saj dhe idetë e PD-së që nuk mungojnë pavarësisht përpjekjes titanike të propagandës për ta sfumuar këtë gjë".

Në një intervistë për A2 CNN, para nisjes së punimeve të Kuvendit Kombëtar, Kedhi tha se PD-ja ka kaluar katër vite të vështira, të karakterizuara sipas tij nga sulme politike dhe institucionale, por që falë qëndresës së demokratëve ka arritur të mbijetojë dhe të dalë më e fortë.

“Partia Demokratike ishte në prag të asgjësimit. Demokratët rezistuan dhe sot jemi në një pikë ku kemi kaluar emergjencën dhe po hyjmë në një fazë të re, atë të ringritjes, rihapjes dhe ripërtëritjes”, u shpreh ai.

Kedhi theksoi se rithemelimi nuk është lënë pas, por është pjesë e një procesi që vijon, ndërsa shtoi se tashmë fokusi është te forcimi i strukturave, hapja e partisë dhe paraqitja e alternativës politike për qytetarët.

Ai u shpreh optimist edhe për të ardhmen e opozitës, duke deklaruar se Partia Demokratike ka kapacitetet dhe burimet njerëzore për të ofruar një qeverisje më të mirë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve.

Ndërkohë, sipas raportimit të gazetarit të A2 CNN, Anesti Bajramemaj pas përfundimit të proceseve të brendshme zgjedhore, Partia Demokratike pritet të vijojë aksionin opozitar me protesta, të cilat, sipas drejtuesve të saj, do të kenë si objektiv largimin e kryeministrit Edi Rama dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos