Nga Dibra ku ishte për festimin e 35 vjetorit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se demokracia nuk funksionon nëse tre pushtetet nuk janë të ndara. Për këtë theksoi ai Partia Socialiste është e paepur për drejtësi, pavarësisht kostove në radhët e forcës që qeveris vendin.
“Për të ardhur tek rrëmuja dhe tek hakmarrja, çfarë na dallon si dy botë me të tjerët ne këtu në skenën politike shqiptare na dallon pikërisht dëshira, pasioni dhe vullneti për rregullin dhe angazhimi i paepur për shtetin e së drejtës, për drejtësinë me çdo kosto. Cila forcë politike do ta bënte atë që ka bërë Partia Socialiste se po ta bënte do e kishte bërë që nga 1912! Cila forcë politike mori përsipër që të dorëzonte pushtetin gjyqësor tek prokurorët dhe gjykatësit dhe të tërhiqej nga një territor duke ndarë në realitet atë që Kushtetuta e ka ndarë prej kohësh në letër. Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka tre pushtete të ndara dhe ne po bëjmë demokracinë të funksionojë pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht të gjitha kostove. Prandaj edhe kush na hidhet në fyt duke na treguar se sa veta u burgosën e sa veta u hetuan, e sa veta janë të përfshirë këtu e janë të përfshirë atje dhe pastaj habitet kur del rezultati nga kutitë e votimit, është kaq imbecil sa nuk kupton që populli shqiptar në shumicë, duke qenë një popull europian në shpirt dhe në Europë në mendje, e kupton që te gjitha këto janë kostot e një ndërmarrjeje historike që mund ta bënte dhe mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.
E kuptojnë që këto janë prova, këto janë prova që drejtësia që ne po mbështesim që të ndërtohet nuk është lojë, është reale dhe kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si pushteti i drejtësisë dhe nuk reagon për ta shkelur me këmbë siç mund ta kishte shkelur dhe siç e ka shkelur me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra vite, atëherë rruga e vendit është rrugë e sigurt, rruga e lirisë është rrugë e sigurt, rruga e të drejtave dhe e barazisë para ligjit është rrugë e sigurtë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë!” (A2 Televizion)