Kadastra e Vlorës zhvendoset në Tiranë, ministri Demo: Shërbimet ofrohen online nga E-Albania, janë ndërmarrë nisma që bazohen në teknologji

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 19:36 | Politikë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në Qeverinë e Shqipërisë, Ervin Demo, ka folur për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, Demo tha se në Kadastra shërbimet ofrohen kryesisht online përmes E-Albania.

Ai shtoi gjithashtu se në Tiranë nuk do të jetë vetëm Kadastra e Vlorës, por atje sipas tij ndodhen që më herët edhe kadastrat e Shkodrës, Vorës e Durrësit.

“ASHK ose Kadastra në tërësi është një nga sfidat më të mëdha që ne kemi nga pikëpamja institucionale në territor. Kuptohet që ndër vite ne kemi konstatuar që vetë agjencia në tërësi ka filluar të marrë nisma që bazohen më shumë në teknologji. Sepse sot marrëdhënia me zyrën e Kadastrës nuk është më te sporteli, por është nëpërmjet portalit. Dhe një pjesë e mirë e shërbimeve që ofrohen sot, nuk ofrohen detyrimisht nga njerëz që janë në territor në Vlorë. Agjencia ka qasjen e vet përsa i përket shërbimeve në zona të caktuara, por duhet të kuptojmë që në Tiranë sot ndodhen Shkodra, Vora, Durrësi dhe tani është shtuar edhe Vlora.

Këtu futet edhe roli i Bashkisë që të jemi të sinqertë. Kur flasim për digjitalizimin e shërbimeve dhe duhet të kuptojmë që në 2026 që unë nuk e përmenda, do të futemi në një proces të digjitalizimit të shërbimeve në nivel vendor. Në nivel vendor Bashkia në mënyrë kapilare duhet të përdorë strukturat e veta për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, për të marrë shërbime të caktuara. Nëse unë kthehem pas në kohë, kur E-Albania filloi në fillim, ne kemi vënë në dispozicion të gjitha zyrat që kanë pasur bashkitë dhe njësistë administrative, për të gjithë ata që kishin mungesë njohurish për përdorimin e sistemit. Dhe unë jam shumë i bindur që nuk mund të krijojmë sisteme që përjashtojmë”, tha mes të tjerash Demo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos