Mazhoranca i është fshehur llogaridhënies publike, teksa llogaritë i ka të hapura me SPAK. Dominuese e debateve mediatike mbetet Partia Demokratike, ndër vite e ndarë në disa fragmente. E sot ajo prapë nuk po e gjen veten. Edhe me disfatat e 11 Majit, në forcën kryesore në opozitë nuk lëviz asgjë. Mbërrin dhjetori dhe analiza e shumëpremtuar nuk është bërë. Duket sikur u ka dhënë paqe dhe argument për të mos bërë asgjë gjetja kryesore e raportit të OSBE/ODIHR, se gara ishte e pabarabartë dhe se nuk merrej vesh në fushatë se ku ishte shteti e ku partia.
Por a është farsa zgjedhore e mjaftueshme për të mos prishur ujërat në lidership dhe në grupin parlamentar? Demokratët e kanë harruar statutin, kanë harruar edhe mbledhjen e forumeve. E copëzuar siç përfundoi, ajo prapë brenda vetes mban pakënaqësi. Ata me mendim ndryshe nuk janë vetëm jashtë gardhit.
Kur duket se në PD mbizotëron qetësia, në heshtje ujërat kanë lëvizur. Ervin Salianji prej muajsh tashmë po takon demokratë, të zhgënjyer ose jo, me Berishën ose jo.
Mjaftoi një kafe për të ngritur paranojën se “këtu ka tradhti burra”. Ishte një test apo diçka pas saj fshihet? E sigurt është se, mbledhja e më të votuarve të listave të hapura dhe më të votuarit e primareve që nuk u futën fare në listë, nuk kaloi pa shqetësim. Takimi ishte thirrur nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti. I pari i dalë nga burgu, i dyti nuk hyri dot në Kuvend. Kishin kërkuar një kafe mes miqsh për të folur për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Ende pa u larguar shija e kafes, disa prej të pranishmëve u distancuan nga ajo që përsëri dominoi darkën televizive, ku takimit iu dha pesha e një lëvizjeje të re në radhët e demokratëve.
“Mediat e paraqitën si një lëvizje diçka që as ka qenë, as është artikuluar nga askush si e tillë. Ishte thjesht një kafe mes demokratësh.
Nëse do të bëhesha pjesë e një lëvizjeje, do të hiqja dorë nga detyrat që kam marrë përsipër para shumë pak kohësh. Që nga ai moment, nuk ka ndodhur asgjë që të më bëjë të rimendoj pozicionin tim. Së dyti, nëse do të kisha vendosur apo edhe dyshuar se duhet të bëhem pjesë e një lëvizjeje, do të isha konsultuar me ata njerëz që më kanë votuar.
Si kandidatë nuk jemi pronarë të votave që kemi marrë, por përgjegjës të atij besimi. Pra, në tavolina nuk ulemi si gjeneralë të ndonjë ushtrie që sipas kafes na ndjekin edhe ata që na kanë votuar. Ndame mendimet me kolegë që dalim nga e njëjta eksperiencë si kandidatë dhe si më të besuarit nga votuesi.
Jam i bindur se kjo histori është një prodhim mediatik dhe jo i dikujt nga mbledhja, sepse ideja e një lëvizjeje apo fraksionimi nuk u artikulua në asnjë moment. Pra, kafeja nuk është lajm, por fakti që u bë lajm është lajm. Mënyra si u shpërnda në mënyrë kapilare në të gjitha mediat me të njëjtin dyshim, dhe fakti që trajtohet me kaq këmbëngulje prej 3 ditësh, një furtunë në filxhanin e kafes”, thotë për A2 CNN Ted Kopliku.
Vetë Salianji i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit. Atë mbrëmje publikoi një foto nga një takim me demokratët në Durrës për të folur për të ardhmen e forcës politike:
“Takimet unë i bëj përherë, se në politikë vota përcakton hierarkinë dhe peshën e çdo mekanizmi tjetër hileqar, që nuk rri dot. PD ka nevojë për ripërtëritje dhe vlerësim të meritës. Fakti që takimi i individëve më të votuar bën lajm, tregon urinë e qytetarëve dhe demokratëve, për vlerësim dhe analizë reale që kemi ne. Unë dëgjoj çdo demokrat; jo më demokratët që të gjithë ne që ishim në një kafe, kemi mbledhur më shumë se 200 mijë vota për PD-në”, tha ai në “Opinion”.
Ilir Alimehmeti nuk ka reshtur së foluri që prej zgjedhjeve. Ka peshën e “më të kërkuarit për garën e Tiranës”, për të cilën ai tha se gati do të ishte vetëm në 2027-ën.
Por ky organizim i më të votuarve, a fsheh ambicien e një lëvizjeje politike, në kushtet kur takimi nuk ishte spontan dhe thekson nevojën e Partisë Demokratike për të ndryshuar?
“Takimet mes demokratëve vazhdojnë. Formati i takimit ishte diçka miqësore. Që të jemi shumë të qartë, nuk është se funksionojnë zyrat e partive. Ne kemi zakone shqiptare, takimet kryesisht i bëjmë nëpër kafe. Takimi ishte një ventilim mbi problematikat që ne kemi, që demokratët kanë. Unë mbështes demokracinë nga poshtë-lartë. Më të votuarit janë demokracia nga poshtë-lartë”, tha Alimehmeti.
Megjithatë, ai është i kujdesshëm të theksojë se aksionin e ka në PD dhe në asnjë rrethanë jashtë saj. “Nuk është as lëvizje e re, as fraksion i ri, as forcë e re politike, por diskutim mes demokratësh dhe të votuarish sesi ta forcojmë këtë forcë, si t’i bëjmë ballë këtij regjimi. Ne kemi propozimet tona që mund t’i çojmë përmes Këshillit Kombëtar, Kryesisë ose Grupit Parlamentar. Forumet tona nuk mblidhen, ndaj mënyra e vetme ishte një format miqësor, një takim krejt normal ventilues. Por edhe njëherë: jo koncept përçarës. Ne kërkojmë forcimin e PD-së”.
Sali Berisha shfrytëzoi bashkëbisedimin me qytetarët për të minimizuar efektin e kafes që doli jashtë selisë blu. “Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Askush nuk është i përjashtuar. Problemi ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës”.
Por reagimet nga baza treguan se ujërat nuk janë aspak të qeta. Një video e bërë virale në rrjet tregoi aktivisten Anila Aliaj në debat me drejtues të PD-së, duke denoncuar mospërfilljen e degëve lokale. Masa e parë e marrë ishte heqja e saj nga grupi i komunikimit të partisë.
“Ajo zonja që foli me Flamur Nokën, nuk është larguar nga partia dhe askush nuk mund të largojë askënd pse shpreh mendimin. Në dijeninë time, ajo nuk është përjashtuar. S’ka asnjë vendim për përjashtimin e saj dhe nuk mund të ketë”, tha Berisha.
Albana Vokshi për A2CNN tregoi ngjarjen, duke folur për “çimka, spiunë dhe një jetë normale në parti”.
Por a kërkon baza më shumë nga kupola blu? Mes problemeve të brendshme dhe pakënaqësisë nga baza, demokratët prej tre javësh kanë nisur atë që e quajnë “foltore qytetaro-parlamentare”.
Ish-zyrtarë të PD-së e shohin me skepticizëm këtë lëvizje. Por për pjesëmarrësit në protestën para zyrës së Edi Ramës, forma e zgjedhur është e duhura. Protesta para Kryeministrisë pritet të vijojë, dhe ndoshta do të shtrihet në qytete të tjera të Shqipërisë. Revolta për analizë nga baza duket e pashmangshme dhe takimet e Salianjit po ashtu.
Nga 2021 në 2025 Partia Demokratike dështoi të ndahej nga e shkuara e një partie që nuk krijon kohezion, por prodhon kritikë të përhershme, ku logorrea militante i quan tradhtarë. Mes problemeve dhe aksionit për rivitalizimin e strukturave, Partia Demokratike po shkon drejt 11 Dhjetorit, ditëlindjes së 35-të dhe ditëlindjes së 4-t të Rithemelimit të saj. (A2 Televizion)