Në një kohë kur Kuvendi është “pushtuar” nga kaosi, me opozitën që ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit të saj, mazhoranca nuk është zmbrapsur.
A2 CNN mëson nga burimet se në seancën e 14 dhjetorit është parashikuar të kalohen ndryshimet për rregulloren e Kuvendit që ashpërson masat për deputetët që shkelin rregullat, si edhe marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Qëndrimi ndaj opozitës nuk ndryshon dhe Rama ka kërkuar që më 14 të jenë prezentë të gjithë deputetët e PS-së. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka folur në mbledhjen e grupit edhe për drejtësinë duke e nënvizuar se Parlamenti është pushteti që duhet të kontrollojë çdo pushtet tjetër.
Çfarë parashikon projektvendimi për rregulloren që është dërguar në Kuvend, ku pritet miratimi i tyre? Sa i përket ndryshimeve të rregullores, për shkak të zhvillimeve të fundit, nëse deri më tani një deputet mund të përjashtohej nga seanca plenare për 10 ditë maksimumi, tashmë limiti do jetë deri në 60 ditë. Ky është një lajm i keq për opozitën, pasi së fundmi pothuajse të gjithë deputetët e saj janë përjashtuar të paktën një herë.
Ndërkohë, marrëveshja me Italinë ka të bëjë më ndërtimin e kampeve për të pritur emigrantët nga vendet e treta, për atë kategori që rrezikohet gjatë lundrimit në det dhe shpëtohet nga anijet e ushtrisë apo Guardia di Finanza-s italine.
Për t’i dhënë fuqi marrëveshjes së firmosur nga Rama dhe Meloni në Romë për ndërtimin e kampit të emigrantëve në Gjadër me kapacitet 3 mijë persona, si dhe përdorimin e Portit të Shëngjinit si port zbarkimi, duhet të ratifikohet në Parlament me të paktën 71 vota. (A2 Televizion)