
Kreu i PD Sali Berisha deklaroi sot se kreu i Kuvendit Niko Peleshi ka censuruar mesazhin e DASH-it. Sipas tij në takimin e zhvilluar në DASH, flitej për luftën kundër organizatave kriminale transnacionale, që sipas Berishës nënkuptojnë rrezikun që kartelet shqiptare paraqesin për vendet e tjera, raporton A2CNN.
“AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha. Është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate. Për të mos folur pastaj për qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur. Edi Rama po loz me fatet e vendit. Me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij.
Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar. Ju e patë edhe sot, pavarësisht se Peleshi i parlamentit e kishte hequr, por në takimin që bëri në Departamentin e Shtetit, citohej fjalë për fjalë lufta kundër organizatave kriminale transnacionale, çka parakupton rrezikun që kartelet shqiptare dhe organizatat e drogës paraqesin për vendet e tjera”, tha Berisha.
“Dhe ai e censuron, duhet të lexojmë njoftimin e departamentit për të marrë vesh të vërtetën e njoftimeve të SHBA. Këta janë bashkëpunëtorë në krim. Niko Peleshi që bën këtë censurë është bashkëpunëtor në krimet e Edi Ramës. Ndaj dhe njëherë rruga e vetme është kryengritja paqësore. Nuk kanë asnjë interes përveç vjedhjeve për pasurim të tyre”, vijon kryedemokrati. (A2 Televizion)