
Kryeministri Edi Rama u shpreh në mbledhjen me grupin socialist se nuk e ka tradhtuar kurrë Shqipërinë. Rama u ndal edhe tek pasqyrimi i mediave greke ndaj protestës, duke pyetur se si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët e shqiptarëve në mbrojtjen e mjedisit të vendit tonë.
“Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, u gjet shitësi i atdheut, u gjet i korruptuari dhe ai është kryeministri juaj. Thënë këto, dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase emocional, por kjo është ndjesia ime, se për mua këto janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’iu përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’iu kërkoj ndjesë, të iki në katund dhe t’iu lë në duart që do zgjidhni vetë për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt”, tha Rama, shkruan A2.
“Por, kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë: t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju, dhe e dua po ashtu siç e doni ju”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)