Këlliçi: Ka orë të tëra filmime të bëra nga Ergys Agasi, të gjitha çojnë te Edi Rama

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 18:04 | Politikë

Belind Këlliçi, i ftuar në studion e "Ditarit" të pasdites nga Pandi Gjata, në A2CNN, deklaroi se Edi Rama është në të njëjtën situatë ku ishte edhe Erion Veliaj përpara se të arrestohej.

“Edi Rama vetëm po blen kohë. Unë jam i bindur që së bashku me dosjen e AKSHI-t, që mund të jetë më skandalozja dhe më flagrantja, pasi drejtohej në hije nga koordinatori i Ramës për bandat dhe grupet kriminale dhe kësaj agjencie i ka shkuar buxheti 500 milionë euro. Dhe biznesmenët që donin të konkurronin për tendera të ndryshëm në këtë agjenci janë marrë peng me uniforma policie. Këtu kemi të bëjmë me kriminalizim dhe kalbëzim të të gjithë strukturës shtetërore dhe qeverisë”, tha Këlliçi.

“Kësaj radhe çudia më e madhe nuk do të zgjasë vetëm 3 ditë, kjo do të zgjasë shumë. Sipas informacioneve të mia, ka orë të tëra filmime, dokumentime dhe foto të bëra nga Ergys Agasi, i cili pa dashje i ka bërë një shërbim shumë të madh vendit, publikut, për të kuptuar si funksionon shteti i Edi Ramës. Agasi nuk ishte njeri i zgjedhur, por thjesht një njeri që kishte OK e Edi Ramës për të bërë atë që bënte”, shtoi Këlliçi.

Sipas tij, filmimet të çojnë direkt te Edi Rama.

“Të gjithë ata që shkonin në zyrën e tij shkonin për të mbaruar punë me Edi Ramën. Shkonin për leje zhvillimi te Edi Rama, për projekte në jug, për leje kullash, për tendera… dhe për të gjitha këto, OK e jepte në fund Edi Rama. Edi Rama mendon se do fitojë kohë me artifica juridike, kjo histori ka marrë fund. Është njëlloj si situata e Erion Veliajt”, theksoi Këlliçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos