Korreshi në Puls: Protesta tregoi mllefin qytetar, reagimi i policisë ishte i tepruar

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 14:58 | Politikë

Saimir Korreshi, në “Puls” me Bruna Çifligu, komentoi protestën e së shtunës së kaluar, duke theksuar se aksioni ishte një shprehje e mllefit qytetar dhe jo pjesë e një skenari të organizuar. Ai u ndal tek debati për pezullimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke kritikuar komisionin dhe qeverinë për mungesë transparence. “Askush nuk foli për shtyrje për shkak të Gjykatës Kushtetuese, por u mbyll pa datë dhe pa motiv,” tha Korreshi.

Korreshi e cilësoi pjesëmarrjen në protestë të lartë dhe përfshirjen e familjarëve dhe grave si një tregues të rëndësisë së ngjarjes. Ai theksoi se qytetarët protestuan për “vjedhjen që ka bërë qeveria” dhe jo për individë politikë. Sipas tij, reagimi i policisë ishte i tepruar dhe i paligjshëm, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me piper ndaj protestuesve pa asnjë provokim, duke dëmtuar qytetarë të paarmatosur.

Ai mohoi çdo dhunë nga protestuesit, duke theksuar se askush nuk hodhi molotovë apo nuk sulmoi policinë, ndërsa pjesa e mjeteve të hedhura ishin vetëm fishekzjarre drejt kryeministrisë. Korreshi e konsideroi arrestimin e mbi 20 protestuesve si të paligjshëm dhe tha se kjo nuk mund të shkelë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mllefin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos