“Njerëzit janë më avangardë se PD, të gatshëm të qëndrojnë me ditë në shesh”, Gjin Gjoni shpjegon si duhet të jenë protestat e opozitës

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 13:29 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, thotë se protestat e opozitës duhet të jenë konsistente, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. “Në pikëpamjen time, seanca e Parlamentit duhej të ishte në vazhdën e protestës dhe nuk mund të ishte një seancë normale në Parlament. Sepse, në rast se ti bën një protestë dhe ditën e nesërme shkon në seancë parlamentare dhe e kthen gjithçka në normalitet, sikur s’ka ndodhur asgjë, shqiptarët fillojnë të dyshojnë nëse Partia Demokratike e ka seriozisht këtë kauzë”, u shpreh Gjoni i ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

“Në vetvete, protestat kërkojnë edhe një lloj frymëmarrjeje dhe organizimi, sepse unë jam për një mënyrë tjetër protestash, në mënyrë që të jenë të qëndrueshme dhe të shtrira në kohë, nëse duan të japin efekt. Njerëzit sot janë shumë më avangardë sesa Partia Demokratike. Ata janë të gatshëm të vijnë dhe të qëndrojnë edhe me ditë të tëra. Unë kam pasur komunikim të vazhdueshëm me njerëz, sepse u ka ardhur thika në palcë. Këtu nuk flitet për anëtarë të Partisë Demokratike, flitet për qytetarë”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetari Andrea Danglli nëse këtë gatishmëri e gjen edhe nga kolegët, Gjoni u përgjigj: “Pa dyshim që ka gatishmëri dhe unë e shpreh me bindje këtë. Tani janë mekanizma që duhet të vihen në lëvizje dhe duhet të ketë një vendimmarrje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos