Shtyrjet për çështjen Balluku, Berisha: Rama tërheq zvarrë Gjykatën Kushtetuese, për turpin e saj

Nga Arestina Skënderi
29 Janar 2026, 15:11 | Politikë

Shtyrjet për çështjen Balluku, Berisha: Rama tërheq

Çështja Balluku u kthye nga gazetarët në fokusin kryesor të konferencës për shtyp të kreut të PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit drejtoi gishtin nga Edi Rama si fajtorin kryesor të zvarritjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, që shfrytëzohet nga mazhoranca për të shtyrë gjithashtu vendimin në Këshillin e Mandateve, për heqjen e imunitetit ndaj numrit dy të Qeverisë.

“Tregon tërheqjen zvarrë, se si Edi Rama tërheq zvarrë dhe poshtëron Gjykatën Kushtetuese. Kjo është dëshmia e parë e asaj që po ndodh. Ajo mori përsipër një çështje, të cilën absolutisht nuk mund ta shqyrtonte pakaluar në Apel dhe Gjykatën e Lartë. Dhe ajo, me urdhër të Edi Ramës, ka caktuar deri më tani tre data dhe nuk e shqyrton dot, sepse Edi Rama e tërheq zvarrë për turpin e saj”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama është nën presion nga zëvendësja e tij, Belinda Balluku.

“E merrnit si shaka kur unë thosha që ajo ka genin terrorist. Ka pasur gjysh vrasës serial, po. Nuk shkon ajo kurban për Edi Ramën, mos kujto ti. Ajo e ka kryer krimin, por e ka kryer për Edi Ramën. Ajo është dorasi, por porositësi është Edi Rama. Kemi të bëjmë me një moment që vetëm populli mund ta zgjidhë dhe do ta zgjidhë populli.”

Gazetarët e pyetën Berishën mbi kontradiktën mes normalitetit të seancës së fundit dhe deklaratave të tij për të refuzuar vijimësinë e punës në Kuvend, në kushtet kur mazhoranca refuzon çdo standard institucional, shkruan A2 CNN.

“Nuk ka asnjë lloj lidhje me parlamentin. PD është e tëra në protestë tani. Është në protestë dhe do të jetë protesta, dhe mbi të gjitha protesta qytetare, ajo që do t’i japë zgjidhje kësaj situate katastrofale që ekziston në Shqipëri.”

I pyetur nga gazetarët nëse PD do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për çështjen Balluku, nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim pro saj, Berisha e ndau përgjigjen në dy momente:

“PD nuk legjitimohet t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias u përgjigjet qeverive, jo partive politike. Kështu që vetëm shqiptarët e kanë fjalën, qytetarët. Tani është radha e tyre, fjala e tyre. Unë ju siguroj që termometri i zemërimit po shkon në nivelet më të larta tek qytetarët, sepse ky konsideron ata si qenie inferiore.”

Berisha paralajmëroi se PD do të rikthehet sërish në terren me protesta, si ajo e 24 janarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos