Pedagogu Hektor Ruci, i ftuar në emisionin Terminal me Aurora Sulçe në A2 CNN, ka folur për përpjekjet për bashkimin e opozitës dhe vështirësitë që po has ky proces.
Ai theksoi se nisma për ndërmjetësim ka nisur që në fillim të vitit dhe, sipas tij, deri tani ka pasur një klimë mirëkuptimi mes palëve, por që kjo nuk po reflektohet drejtpërdrejt në raportet mes tyre.
“Faktikisht, ne filluam diku nga fundi i janarit, fillimi i shkurtit. Besoj se për aq kohë sa kemi ekzistuar, kemi ecur mirë dhe kemi pasur mirëkuptim dhe mirëbesim. Tani çështja është që këtë mirëkuptim dhe mirëbesim që palët kanë treguar ndaj nesh, t’ia reflektojnë edhe njëra-tjetrës.
Ajo që kemi bërë që në fillim ka qenë pikërisht kjo mënyrë për të zhbllokuar situatën. Nëse palët nuk kanë besim apo nuk duan të marrin kosto politike për të shkuar te njëra-tjetra, ne kemi ofruar ndërmjetësimin tonë.
Kur nuk duan të ulen vetë, ulemi ne për ta. Kur nuk duan të takohen, bëjmë edhe korrierin, derisa të arrihet një konkluzion i përbashkët.”, tha Ruçi. (A2 Televizion)