“Nuk ka anëtarësim ‘light’”, Marta Kos: Nuk e mbështes letrën e Vuçiç dhe Ramës

Nga Erjon Dervishi
19 Prill 2026, 12:18 | Politikë

Mali i Zi mund të jetë anëtarë i 28 i Bashkimit Europian. Kështu është shprehur Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një interviste dhënë dy ditë më parë për “Atlantik Council”, ku foli për rrugën përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kos deklaroi gjithashtu se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian edhe para vitit 2030.

Komisionerja e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste në Këshillin Atlantik. Kos theksoi bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi edhe shtetin e Islandës e cila po bën një përparim të jashtëzkonshëm në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian.

E dini, zakonisht ne nuk vendosim data në procesin e anëtarësimit, sepse kjo varet vërtet nga meritat. Pra, varet nga mënyra se si vendet po japin rezultate. Por sigurisht, ne mbështesim objektiva ambicioze. Së pari për Malin e Zi, është e mundur që ne t’i mbyllim. Pra, është e mundur që Mali i Zi me 650,000 banorë të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët. Dhe pastaj sigurisht, tani ndoshta do të kemi një vend të ri kandidat. Unë po e pres me shumë padurim”, tha Marta Kos.

Zyrtarja e lartë europiane u pyet më tej në lidhje me letrën e shkruar nga Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama, ku sugjeronin që vendet e tyre mund të bashkoheshin me Shengenin dhe tregun e përbashkët, për shembull, me koston e një anëtarësimi të lehtë, pra pa të drejtën e vetos. Marta Kos tha ketë fakt apo ide nuk e mbështet. "Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t'i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së."

Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak. Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, tha Kos.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë një anëtar të ri që do ta dobësonte atë, duke përmendur kriteret bazë të Kopenhangenit, demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Nuk mund të përballojmë të kemi dikë, një shtet të ri anëtar, që do të na bëjë më të dobët. Ne nuk jemi një grup miqsh; ne jemi një bashkësi vlerash. Dhe sapo të vendosësh se dëshiron të jesh pjesë e kësaj bashkësie vlerash dhe të gëzosh të gjitha përfitimet e saj, duhet të sillesh mirë dhe duhet të jesh një djalë i mirë, jo një djalë i keq. Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian pa përmbushur kritere të tilla si sundimi i ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, liria e medias dhe liria e shprehjes. Jemi sulmuar nga kënde të ndryshme, po akuzohemi se demokracia jonë nuk është një demokraci e vërtetë, se qytetërimi ynë është në rënie. O Zot, nuk është në rënie. Shikoni zgjedhjet në Hungari”, u shpreh Komisionerja e BE për Zgjerimin.

Bashkimi Europian po vuan nga mungesa e kredibilitetit pas fillimit të luftërave në Ukrianë dhe Iran. Për Marta Kos ky është një problem pasi tashmë BE duhet të ndryshojë edhe metodologjinë e integrimit. “Jemi në kohë lufte”, tha Marta Kos dhe metodologjia nuk është më e njëjtë si para 20 viteve kur u anëtarësia Suedia apo Portugalia më herët. Po ashtu Kos përmendi edhe mënyrën e votimit me një shumicë të cilësuar e cila në disa raste duhet të përdoret për të anashkaluar procesin e vetos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos