“Keni humbur lidhjen me realitetin”, Krasniqi debat me Shalsin: Ju patëm paralajmëruar për atë që po ndodh!

Nga A2 CNN
20 Tetor 2026, 21:09 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi është përplasur në debat me deputetin e Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, lidhur me protestat e dhunshme dhe situatën politike në vend.

I ftuar në emisionin "Off the Record" nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi argumentoi se kriza nuk ka nisur ditët e fundit, por prej muajsh, që prej protestave masive të flamingove, ndërsa kritikoi reagimin e qeverisë ndaj protestuesve dhe paralajmëroi se zhvillimet e fundit ishin të pritshme.

 “Problemi s’ka nisur 8 ditë përpara, problemi ka nisur 4 muaj përpara. Qytetarët e Tiranës kanë bërë nga protestat më masive të tranzicionit shqiptar, kundër gjithë politikës dhe establishmentit politik dhe i kanë artikuluar kërkesat e tyre në atë kohë”, u shpreh Krasniqi.

Ai iu drejtua Shalsit duke thënë se reagimet e përfaqësuesve të mazhorancës tregojnë shkëputjen e tyre nga realiteti.

“Reagimi ka qenë i ashpër kundër një establishmenti që ka humbur lidhjen me realitetin dhe, me gjithë respektin për z. Shalsi, unë besoj që ajo që ai tha është tregues që e kanë humbur lidhjen me realitetin”, deklaroi politologu.

Krasniqi tha gjithashtu se qeveria ishte paralajmëruar për protestat e studentëve në shtator, por, sipas tij, në vend që të gjente zgjidhje për kërkesat e tyre, kryeministri Edi Rama zgjodhi një gjuhë intimidimi dhe fyerjesh.

“Ne të gjithë e kemi thënë që do vijnë studentët në shtator dhe duhet të keni një zgjidhje për ta. Kryeministri filloi t’i intimidojë, t’i bullizojë, i fyeu, i quajti agjentë të huaj. Kjo lloj situate s’mund të kishte fund tjetër përveç këtij fundi”, përfundoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos