Kërkesa e SPAK, Ulsi Manja prezanton raportin: Jemi në realitet të ri, Balluku nuk ushtron më detyrën

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 10:21 | Politikë

Kërkesa e SPAK, Ulsi Manja prezanton raportin: Jemi në realitet

Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, Ulsi Manja prezantoi raportin në kuadër të kërkesës së SPAK për deputeten Belinda Balluku.

“Dorëzojmë sot raportin e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Kemi diskutuar për relacionin dhe pretendimet e palëve në Këshill dhe kemi arritur të dakordësohemi për këtë raport. Sot që po diskutojmë këtë raport, ka ndodhur një realitet i ri. Jemi përpara një realiteti të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale”, tha Manja.

“Kemi parë përpjekje për ta shndërruar këtë çështje në gjykim publik. Si shumicë parlamentare duhet të flasim qartë, të ndajmë zhurmën nga faktet. Kërkesa e SPAK-ut, në rastin e deputetes Belinda Balluku ndryshon nga kërkesat e tjera të ardhura në Kuvend. Në këtë rast i kërkohet Kuvendit të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, me një masë sigurie më të rëndë, atë të arrestit, për të cilën prokuroria po heton që nga viti 2024. Zëvendësimi i masës mund të kërkohet në dy raste: kur janë rënduar nevojat e sigurimit, ose personi nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata. Rasti i dytë përjashtohet”, shtoi Manja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos