Kryeministri Edi Rama vijon të mbrojë tezën e tij se pezullimi i Belinda Ballukut cenon punën ekzekutive në ministrinë që ajo është titullare. Për këtë arsye, Rama thotë se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të zhbëjë këtë vendim absurd të Gjykatës së Posaçme, duke sjellë një shembull që sipas tij cenon funksionimin e qeverisë dhe interesin publik.
“Kë kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimi i përgjigjes pozitive nga pala kanadeze i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshëm të miratimit dhe të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi në fjalë vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit”, tha Rama.
Duke bërë bilancin negativ të pasojave të këtij vendimi nga ana e drejtësisë, Rama shton se janë edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej pezullimit nuk mund të ecin përpara. Edhe njëherë, kreu i qeverisë kërkon rikthimin në detyrë të anëtares së kabinetit qeveritar, shkruan A2 CNN.
Për shkak të volumit dhe kompleksitetit të dosjes, trupa prej 8 gjyqtarësh e Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar më shumë kohë, duke e shtyrë datën e mbledhjes për në 12 dhjetor. (A2 Televizion)