Pas takimeve në Bruksel, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Hagës për të takuar në burg ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama tregon për gjendjen e ish-komandantit të UÇK-së, si edhe çfarë i kishte dërguar atij në qeli.
“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar, një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për ‘Skënderbeun’ e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kissingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin, me të qeshur, Hashimi e quan ‘institut’”, tha Rama.
Para se ta takonte fizikisht, Rama e quajti absurd procesin ndaj ish-katër luftëtarëve të UÇK-së, që sipas tij nisi nga një farsë për trafik organesh, nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg.
Shefi i qeverisë shqiptare uron që viti 2026 të sjellë edhe lirimin e tyre nga qelitë e paraburgimit.
Prej më shumë se pesë vitesh, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Hagë, duke pritur vendimin e Dhomave të Specializuara, të ngritura me vendim të Parlamentit të Kosovës. (A2 Televizion)