Bashkia Tiranë miraton buxhetin për vitin 2026, Ristani: Jemi afirmuar si qyteti i të ardhmes urbane!

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 17:47 | Politikë

Bashkia Tiranë miraton buxhetin për vitin 2026, Ristani: Jemi afirmuar

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot projektbuxhetin për vitin 2026. Në fillim të fjalës së saj, kryetarja e Komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, bëri një bilanc të investimeve të bashkisë për vitin që lamë pas.

“ Viti 2025 e gjeti Tiranën jo thjesht si kryeqytetin administrativ të vendit, por si një qendër aktive evropiane të dialogut, kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.Tirana, gjithashtu, u afirmua si një qytet që mendon për të ardhmen urbane. Konferenca Ndërkombëtare Walk21 e ktheu qytetin në një laborator idesh për mobilitetin e qëndrueshëm, qytetet e ecshme dhe hapësirat publike që i shërbejnë njeriut. Gjatë vitit 2025, kemi menaxhuar 35 kontrata kryesore për rikualifikim urban”, deklaroi Ristani.

Ajo veçoi gjithashtu afirmimin e Tiranës si qendër e re e inovacionit në Ballkan, shkruan A2 CNN.

“Në fushën e inovacionit dhe ekonomisë, expo-t dhe forumet për startup-e, teknologji dhe turizëm të qëndrueshëm sollën në Tiranë investitorë, sipërmarrës dhe profesionistë nga rajoni dhe më gjerë, duke e forcuar rolin e qytetit si një nyje e re zhvillimi në Ballkan. Mes tyre u veçua Expo finale e programit Plug and Play Tirana Accelerator, ku startup-et lokale prezantuan idetë, produktet dhe zgjidhjet e tyre të inovacionit për investitorë dhe partnerë; Takimi vjetor i komunitetit MED Cluster Annual Meetings, ku u diskutuan strategji për turizëm adaptues ndaj ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunim mes qyteteve mesdhetare”, tha më tej Ristani.

Sa i përket buxhetit të vitit 2026, Ristani theksoi se të ardhurat totale parashikohen në 39.2 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet planifikohen të balancuara me këto të ardhura.

“Pesha kryesore shkon për pastrimin e qytetit (25%), Transportin Publik (11%), dhe Arsimin Bazë (9%)”, tha ajo.

Ajo tha se në fokus të veçantë do të jenë zgjerimi i infrastrukturës, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, politika sociale dhe mjedisore, si dhe ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese.

“Projekt-Buxheti Afatmesëm 2026–2028 është një dokument i përgjegjshëm, financiarisht i qëndrueshëm dhe i orientuar qartë drejt investimeve, shërbimeve publike dhe mbrojtjes sociale. Ai garanton vazhdimësinë e transformimit të Tiranës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Orientimi afatgjatë i Bashkisë Tiranë mbështetet në tre drejtime strategjike kryesore:zgjerimi dhe përmirësimi i infrastrukturës publike, si në nivel kapilar në lagje, ashtu edhe në zonat e reja të zhvillimit urban;zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, i balancuar me politika sociale dhe mjedisore, që nxisin punësimin, sipërmarrjen dhe ekonominë lokale;ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese, një qytet i gjelbër, gjithëpërfshirës dhe i përgatitur për sfidat klimatike dhe sociale të së ardhmes”, u shpreh ajo më tej.

Më shumë buxhet është parashikuar edhe për pastrimin e qytetit.

“Shërbimi i pastrimit të qytetit për vitin 2026 parashikohet në shumën 2,110,260,263 lekë, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin paraardhës. Kjo rritje synon:zgjerimin e pastrimit me fshesë mekanike të Unazës së Madhe, me gjatësi 61,797 metra linearë në ditë;shtimin e 500 kontenierëve të rinj me kapacitet 1,700 litra, veçanërisht në zonën qendrore të qytetit”, deklaroi ajo.

Edhe për këtë vit janë parashikuar të ndërtohen objekte të reja arsimore, shkruan A2 CNN.

“Në arsimin e mesëm, fondi për vitin 2026 është 2.9 miliardë lekë, duke mbështetur ndërtimin e shkollave të reja, rikonstruksionet dhe dhënien e bursave për kategori të ndryshme nxënësish.Në arsimin parashkollor dhe bazë, për vitin 2026 parashikohen mbi 5.38 miliardë lekë, duke përfshirë ndërtimin e kopshteve, çerdheve dhe shkollave të reja, si dhe pilotimin e programit të ushqimit në shkollë për 12,000 nxënës”, deklaroi Ristani.

Nisur nga kërkesat e larta, Ristani deklaroi se në vitin që vjen do të rriten kuotat e kredive të buta për strehim.

“Programi parashikon subvencionimin e interesave të kredisë për 983 përfitues ekzistues dhe krijimin e 1,500 kuotave të reja të kredive të buta, me financim nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë.Kostoja për vitin 2026 është 15,000,000 lekë, duke synuar lehtësimin e barrës financiare për familjet në nevojë dhe rritjen e aksesit në strehim të përballueshëm”, shtoi kryetarja e komanduar.

Bashkia e Tiranës për vitin 2026 parashikon stimuj për 2,900 nxënës ekselentë dhe subvencionim të transportit për 65,000 studentë dhe pensionistë.

“Programi i stimulit për nxënësit ekselentë përfshin 2,900 nxënës të shkollave publike të Bashkisë Tiranë, me kontribut mujor 7,500 lekë për arsimin e mesëm të ulët dhe 10,000 lekë për arsimin e mesëm të lartë. Kostoja totale për vitin 2026 është 222,030,000 lekë. Programi parashikon gjithashtu subvencionimin e plotë të abonesë së transportit urban për 40,000 pensionistë dhe për 25,000 studentë, duke përmirësuar aksesin dhe mirëqenien sociale”, nënvizoi Ristani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos