“Lajthitje parkimi dysh deri në 3 vjet burg”, Zhupa: S’ka konflikt penal! Presion që “të shkatërrohet jeta”

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 13:01 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kritikuar ashpër ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të miratuara dy ditë më parë, të cilat parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për parkimin dysh, deri në burg. Në një intervistë në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Zhupa e cilësoi këtë masë si të pajustifikuar dhe disproporcionale krahasuar me vepra penale shumë më të rënda.

“Qartësisht kemi të bëjmë me një lajthitje institucionale. Shtetet që marrin këto masa janë shtete të klasifikuara në renditjen e shteteve botërore si shtete autokratike ose me demokraci inekzistente”, tha Zhupa. “Kur ti arrin të vendosësh të tilla masa të cilat nuk kanë lidhje fare me profilin kriminal të atij që e bën, apo me qëllime kriminale, apo me pasoja të pariparueshme shoqërisht, e kupton qartësisht që kemi të bëjmë me një shtet i cili ngrihet mbi bazën e dhunës, mbi bazën e represionit”.

Deputetja theksoi se problemi real nuk është sjellja e qytetarëve, por mungesa e hapësirave publike për parkim, transporti publik i pamjaftueshëm dhe kaosi urban, veçanërisht në Tiranë. Ajo akuzoi qeverinë dhe bashkitë për betonizimin e qyteteve dhe shkatërrimin e hapësirave të përbashkëta.

“Nuk bëhet nga mosvullneti i qytetarëve për të paguar në mënyrë të rregullt, por nga pamundësia e një qyteti kaotik, të shkatërruar totalisht nga menaxhimi urban, i cili nuk ofron transport publik të të gjitha formave, as hapësira për të parkuar makinat. Kjo sjell krijimin e trafikut dhe një ngarkesë të rënduar rrugore, për shkak se nuk ka parkime publike, ndërkohë që ngrihen kulla në çdo shesh dhe në çdo lulishte, duke mos lejuar që këto hapësira të shfrytëzohen si ambiente të përbashkëta publike”, tha Zhupa.

“Pra, kemi një qytet ku shteti ka marrë në dorë çdo hapësirë publike, e ka përçudnuar qytetin në shërbimet publike dhe nuk u ofron qytetarëve shërbim publik. Në këto kushte, nuk mund t’i thuash qytetarit se je ti me faj, kur nuk ekziston asnjë vend ku ai të lërë makinën, qoftë edhe për të çuar fëmijët. Shqipëria, siç thoni ju, është i vetmi vend në Europë që kriminalizon parkimin dysh”.

Si alternativë, Zhupa propozoi investime në parkime publike, transport dhe planifikim urban, duke theksuar se ndëshkimi penal nuk mund të zëvendësojë politikat e mira publike dhe ndërgjegjësimin qytetar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos