PS kërkon ndryshim të formulës së Komisionit të Territoriales pas bojkotit të PD

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 11:47 | Politikë

PS kërkon ndryshim të formulës së Komisionit të

Pas bojkotit të Partisë Demokratike, mazhoranca ka ndërmarrë hapa për të ndryshuar formulën e funksionimit të Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale. Të enjten, në Konferencën e Kryetarëve, pritet të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste për të marrë shumicën e anëtarëve të komisionit, si edhe drejtimin e tij.

Sipas kërkesës së PS, përbërja aktuale e komisionit nuk garanton vijimësinë normale të punës për shkak të mungesës së opozitës në mbledhje, shkruan A2 CNN. Socialistët propozojnë shtimin e një anëtari nga radhët e tyre, duke siguruar kështu shumicën, si dhe heqjen e bashkëdrejtimit të komisionit. Në këtë formulë të re, Arbian Mazniku do të jetë kryetar i vetëm i komisionit, ndërsa Luçiano Boçi do të mbajë postin e nënkryetarit, dhe jo më atë të bashkëkryetarit.

Në argumentimin e saj, PS thekson se nga katër mbledhje të njoftuara rregullisht që prej krijimit të komisionit më 27 tetor 2025, vetëm një është zhvilluar me pjesëmarrje të plotë të opozitës. Duke qenë se mandati i komisionit është 9 muaj dhe reforma synon të miratohet një vit para zgjedhjeve vendore të vitit 2027, mazhoranca e konsideron të domosdoshëm ndryshimin e mënyrës së punës.

Sipas PS, reforma administrative-territoriale është një prioritet kyç i programit “Shqipëria 2030” dhe i procesit të integrimit europian, ndaj bllokimi i saj nga bojkoti opozitar nuk duhet të pengojë ecurinë institucionale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos