Krasniqi: Shqipëria kërkon operacion, ndërrojmë pajisjet, por jo njerëzit që do e bëjnë

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2025, 22:01 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, bwri një analizë për krizën e funksionimit të opozitës, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment ku “duhet operacion i thellë”, por të njëjtat figura politike mbeten në krye të procesit.

Formulë e vjetër për një situatë të re
Krasniqi rikujtoi idenë e tij të hershme për një rrugëdalje të opozitës: dialog, drejtim kolegjial e konsensual për një periudhë njëvjeçare, pa përfshirë në krye figura si Sali Berisha apo të tjerë që konsiderohen liderë historikë të PD-së. Sipas tij, ribashkimi në shtator–tetor dhe reformimi programor me qasje perëndimore mbeten domosdoshmëri, ashtu si edhe krijimi i një liste të përbashkët kandidatësh me mbi një të tretën prurje të reja, e vetmja mënyrë për të rikthyer votën refuzuese dhe liberale në vend.

“Partia nuk funksionon, strukturat janë të ngrira”
Duke zbritur te situata aktuale, Krasniqi u shpreh se PD ndodhet në një gjendje të paralizuar, ku dy organet themelore, Këshilli Kombëtar dhe grupi parlamentar, nuk ushtrojnë asnjë funksion. Ai theksoi se këto dy struktura duhet të përcaktojnë qëndrimet politike të opozitës për zgjedhjet, reformën në drejtësi, raportet ndërkombëtare, demokracinë e brendshme dhe luftën ndaj korrupsionit, por sot ato janë “jashtë loje”.

Në mungesë të këtyre vendimmarrjeve, sipas Krasniqit, partitë sajojnë tema të reja, organizojnë takime rutinë dhe flasin për analiza që realisht nuk bëhen. “Në rrethe ka vetëm fjalime dhe improvizime,” u shpreh ai.

“Shpresa që dikush zgjohet në mëngjes dhe na rregullon Shqipërinë”
Krasniqi e quajti të rrezikshme pritshmërinë naive që një figurë politike, pa struktura e pa proces, të ringrijë PD-në dhe të ndryshojë vendin. Ai kujtoi se kjo qasje është provuar për 35 vite dhe ka dështuar.

Vendimet e vështira, kush mban përgjegjësi?
Politologu solli në vëmendje disa nga vendimmarrjet më të debatuara të opozitës, dorëzimi i mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Krasniqi tha se sot askush nuk pranon përgjegjësi individuale, ndonëse të gjithë kanë votuar pro këtyre vendimeve “për shkak të rrethanave”.

Ai theksoi se këto zgjedhje të gabuara kanë lënë mijëra demokratë jashtë çdo mekanizmi shtetëror për 12 vite, duke i detyruar të emigrojnë, të mbijetojnë ose tërhiqen nga jeta publike.

“Demokratët s’janë më pjesë e shtetit”
Sipas Krasniqit, fakti që i vetmi punëdhënës real në Shqipëri është shteti e bën situatën edhe më dramatike, demokratët nuk kanë qenë pjesë e administratës për më shumë se një dekadë, çka ka krijuar frustrim, humbje të rolit dhe varfërim të bazës së partisë.

Ndërkohë, drejtuesit e sotëm të opozitës, tha ai, i përkasin një kategorie tjetër: “pjesës së milionerëve të Shqipërisë”, të cilët, sipas tij, janë komodë me tranzicionin dhe humbjen, pa interes për ndryshim real. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos