Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, në “Off the Record” nga Andrea Danglli, deklaroi se lëvizjet e brendshme në PD, përfshirë takimet e Ervin Salianjit me demokratët nëpër qytete, janë një zhvillim i natyrshëm dhe jo shenjë përçarjeje. Sipas tij, “nuk ka grupe armiqësore në PD”, por vetëm demokratë që kërkojnë të sjellin energji të reja në kushtet kur organet drejtuese nuk janë mbledhur prej muajsh.
Hoxha theksoi se PD prej shtatë muajsh nuk ka mbledhur Këshillin Kombëtar, gjë që ka krijuar boshllëk institucional dhe ka lejuar që debatet të zhvillohen në kafene, në takime spontane dhe në forma alternative. “Nuk është keq të takohesh, të diskutosh, të kesh propozime. Keq është të mos mblidhen strukturat zyrtare,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Hoxha mbrojti të drejtën e çdo demokrati për iniciativë, duke përfshirë turin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe takimet e Salianjit. Ai i quajti këto nisma pozitive për ngrohjen e partisë, për sa kohë nuk shndërrohen në mite apo grupime me pretendime të rreme për ndikim politik.
Duke folur për zgjedhjet dhe situatën e përgjithshme në vend, Hoxha nënvizoi se problemi kryesor nuk qëndron tek opozita, por tek mënyra si qeveria përdor administratën dhe pushtetin publik, çka, sipas tij, është konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare. Ndërkohë, ai kërkoi që PD të nisë urgjentisht analizën, të ringrejë strukturat dhe të rifitojë besimin e qytetarëve përballë një qeverie që e cilësoi “të fundosur nga aferat korruptive”.
Hoxha tha, ndër të tjera, se mbledhja e Këshillit Kombëtar nuk e zgjidh e vetme krizën, por “hap lojën” drejt normalizimit të brendshëm dhe rritjes së performancës politike të PD-së, ndërsa opozita duhet të ruajë unitetin dhe të jetë e gatshme të përmbushë detyrën e saj përballë qeverisë Rama. (A2 Televizion)