Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, deklaroi se nisma e opozitës pranë Kryeministrisë nuk është një protestë klasike, por një formë e re komunikimi me qytetarët, e lindur, sipas tij, nga mbyllja e hapësirave të fjalës në Parlament.
Kaso theksoi se të hënave do të vijojë “Parlamenti i Qytetarëve”, një tribunë ku qytetarët nga gjithë vendi artikulojnë problemet e tyre drejtpërdrejt, ndërsa deputetët e PD-së u japin zë shqetësimeve që, sipas tij, mazhoranca i ka heshtur. Ai u shpreh se një qeveri e përgjegjshme duhet të reflektuar mbi këto mesazhe, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve.
Në lidhje me përshkallëzimin e aksioneve, Kaso konfirmoi se krahas “Parlamentit të Qytetarëve”, pritet nisja e turit të Sali Berishës në bazë dhe vijimi i procesit të analizës dhe zgjedhjeve në 26 degë të PD-së. Ai e cilësoi këtë si një lëvizje të planifikuar nga kryesia e partisë, pa lidhje me takimin e famshëm Salianji-Alimehmetit.
Megjithatë, Kaso u tregua i hapur edhe ndaj këtyre takimeve, duke theksuar se çdo formë komunikimi mes demokratëve është e dobishme, për sa kohë forcon aksionin opozitar dhe nuk kthehet në zhurmë mediatike bosh. Ai deklaroi se në Korçë do të mirëpriste çdo grup të tillë, përfshirë edhe Ervin Salianjin.
Sa i përket akuzave se opozita po i jep oksigjen qeverisë, Kaso i hodhi poshtë duke theksuar se PD-ja ka mbajtur peshën e opozitarizmit për 12 vite dhe se kush mendon se mund ta bëjë më mirë, “është i lirë të dalë në shesh dhe të provojë”. (A2 Televizion)