
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të protestojnë kundër qeverisë Rama.
Komentet Berisha i bëri gjatë tubimit të opozitës të mbajtur para Kryeministrisë, ku tha se me Ramën kryeministër, kupa është mbushur dhe po derdhet.
Teksa e cilësoi qeverinë Rama të korruptuar, Berisha tha se opozita do të jetë çdo javë para Kryeministrisë, pasi sipas tij, nisja e javës me protestë është shenjë drejt fitores.
“36 mijë euro paguani shishen e verës së Sulltanit këtu. Është mbushur dhe po derdhet kupa. Dhe ne sheshin e betejës nuk e lëshojmë. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ja falim kurrë.
Ju garantoj se fitorja është e jona, ju garantoj se Rama të ardhme nuk ka. Ligji dhe kushtetuta do të jënë sërish tuajat. Të hënën tjetër përsëri këtu.
Dhe çdo të hënë do ta nisim javën me betejë. Dhe nisja e javës me një betejë kundër kryehajdutit të kombit të të gjitha kohërave është fati i javës, është rruga drejt fitores”, tha mes të tjerash Berisha. (A2 Televizion)