
Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, foli për procesin e integrimit europian, reformën politike në Shqipëri dhe zhvillimet në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si politika shqiptare po e trajton çështjen e Kosovës dhe procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.
“Në fakt është interesante sepse unë prisja që parlamenti shqiptar të kishte një pikë të rezolutës ose të bënte një rezolutë më vete ku të përkrahte nevojën që Kosova të përfshihet në proceset e integrimit. Shqipëria nuk do pranohet kurrë në BE nëse BE-ja nuk ka marrë ende një vendim për Kosovën”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova janë të ndërlidhura politikisht dhe institucionalisht në raport me Bashkimin Europian.
“Nuk mund të pranohet një vend në BE që fiton të drejtën për të marrë vendime për fqinjët, ndërkohë që fqinjët kanë ende probleme të njohjes reciproke. Automatikisht ne jemi të ndërlidhur dhe është e habitshme që asnjë nga liderët politikë në Shqipëri nuk e trajton këtë çështje dhe nuk e adreson qoftë edhe në formën e negociatave apo të presionit publik”, deklaroi ai.
Krasniqi foli edhe për krizën politike në Kosovë, duke e cilësuar si një situatë të pafavorshme për vetë shtetin.
“Si mundet Kosova me një mijë probleme të eksperimentojë me veten dhe të mos arrijë dialog politik? Në vend që të shkohet drejt një zgjidhjeje, po i sillet kosto e madhe politike dhe ekonomike vendit duke e çuar vazhdimisht në zgjedhje pa zgjidhje”, tha ai.
Ai paralajmëroi se vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja nëse nuk gjenden mekanizma bashkëpunimi politik.
“Ne mund të kemi të njëjtat situata që na çojnë përsëri në zgjedhje të reja, duke shpresuar që pas datës 7 qershor të gjenden mekanizma për bashkëpunim në varësi të votave që do të kenë partitë”, u shpreh Krasniqi.
(A2 Televizion)