“Kuvendi ta shqyrtojë me përparësi”, Berisha: Të përgjysmohet regjimi i taksave për naftën

Nga Anesti Barjamemaj
8 Prill 2026, 15:41 | Politikë

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës. Me anë të një kërkese, dorëzuar kryetarit Niko Peleshi, demokratët kërkojnë që propozimi i tyre të përfshihet në seancën e 16 prillit, shkruan A2CNN.

Pas depozitimit të kërkesës në protokollin e Kuvendit, Sali Berisha përforcoi qëndrimin e demokratëve edhe gjatë mbledhjes së deputetëve, ku tha se duhet të ndryshojë regjimi i taksave që përfshihen te çmimi i naftës.

“Grupi ynë parlamentar dhe opozita kërkon me çdo kusht përmbysjen e sistemit fiskal aktual mbi litrin e naftës. Sistem absolutisht ndëshkues, totalisht mbi qytetarin shqiptar”, tha Berisha.

Lideri demokrat pohoi që nafta nuk ndikon vetëm në xhepat e qytetarëve që lëvizin me makinë, por edhe te pensionistët dhe fermerët, që po përballen me krizën e rritjes së çmimeve.

“Ne duhet të vendosim atë regjim fiskal që të paktën qytetarët shqiptarë të mos shkojnë nga Elbasani për të mbushur serbatorin e benzinës në Strugë, apo nga Shkodra në Mal të Zi. Asnjë qëndrim i përgjegjshëm, vetëm mashtrim”, u shpreh Berisha.

Berisha pohoi se stabilizimi i çmimeve, edhe pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit, kërkon muaj që të ndodhë, ndaj shtoi se zgjidhja e vetme është përgjysmimi i taksave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos