“S’ka nevojë për panik, Irani nuk synon Shqipërinë”, analiza e ekspertit Marlind Laçi

Nga A2 CNN
8 Prill 2026, 09:12 | Politikë

Qytetarët shqiptarë nuk duhet të përfshihen nga paniku për shkak të zhvillimeve në Lindjen e mesme, pasi Irani nuk ka objektiv Shqipërinë”. Kështu deklaroi në Dita Jonë në A2 CNN eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi, sipas të cilit edhe pse Shqipëria ka pasur përplasje me Iranin, rreziku për një përballje mbetet i ulët.

Laçi thekson se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një faktor kyç sigurie, pasi çdo sulm do të përbënte përshkallëzim të madh për Teheranin.

“Frika ekziston por unë jam shprehur gjatë gjithë kohës se nuk është nevoja për panik pasi Shqipëria aderon në aleancën e Atlantikut të Veriut pra NATO  dhe sigurisht nuk gjykoj se Irani ka asnjë objektiv Republikën e Shqipërisë, sepse do i shtonte vetes edhe një armik tjetër të madh që gjykoj se është fatal për Iranin siç është fuqia e njohur tashmë e aleancës së Atlantikut”, u shpreh Laçi në A2 CNN.

Ai shton se shtetet e vogla duhet të tregojnë kujdes në pozicionimin e tyre në konfliktet globale dhe të shmangin rolin e vijës së parë në përballje me fuqi më të mëdha.

“Një formë paniku edhe për neve si Republika e Shqipërisë për aq kohë sa jemi ndjerë të kërcënuar, më pas me rezolutën e parlamentit të Shqipërisë, me shpalljen e Iranit si shtet terrorist që praktikisht domethënë jemi në luftë me Republikën Islamike të Iranit. Por sa herë ka patur raste nga historia botërore, që fuqitë e mëdha apo kombet e mëdha gjejnë paqe me njëri-tjetrin, problemi është me të vegjlit, sepse në fund të ditës janë të vegjlit ata që duhet të mbajnë pozicionin e tyre. Prandaj unë kam patur kritika të vazhdueshme ndaj qoftë ndaj qeverisë, por qoftë edhe ndaj opozitës. Vërtetë Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike në Shqipëri, por mos harrojmë që edhe Republika e Shqipërisë ka strehuar njerëz të cilët ata i konsiderojnë terroristë dhe në këtë aspekt popujt e vegjël dhe shtetet e vogla duhet të dinë të pozicionohen dhe mos të jenë të parët në linjë për të bërë rolin e kamikazit si një shtet i cili ndërmerr hapa konkrete kundër një shteti akoma më të madh dhe në fund”, theksoi ai në A2 CNN.

Laçi nënvizon se ndikimi më i prekshëm i këtij konflikti për Shqipërinë dhe rajonin është ekonomik, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve të karburanteve, duke e bërë situatën më të ndjeshme për ekonomitë e vogla.

“Ne e kemi ndjerë te çmimet në rritje stratosferike të hidrokarbureve, por nuk është vetëm Shqipëria. Shqipëria e ndjen më tepër, pasi Shqipëria me çështjen e naftës gjatë gjithë kohës është në kohë lufte, pasi edhe në kohë paqe botërore çmimet e naftës në Shqipëri janë tejet të larta krahasimisht me vendet e rajonit, me Kosovën, me Malin e Zi, me Maqedoninë, me Serbinë,madje edhe me Greqinë”.

Duke analizuar zhvillimet e fundit dhe armëpushimin e propozuar nga Donald Trump, eksperti thekson se objektivat fillestare ndaj Iranit, si dobësimi i regjimit dhe programeve të tij ushtarake, nuk janë arritur plotësisht.

Në të njëjtën kohë, sipas tij situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar, pasi kontrolli i saj nga Garda Revolucionare iraniane ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos