Ngushtimi i hyrjes së portit, deputeti i PD në Durrës: Vendim antishqiptar, krijon problem

Nga Anesti Barjamemaj
8 Prill 2026, 15:29 | Politikë

Vendimi i Autoritetit Portual Durrës për të ngushtuar hyrjen numër 4 të portit, në afërsi të Urës së Dajlanit, nga 6 në 3 korsi, për shkak të punimeve për projektin “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, është kundërshtuar nga Partia Demokratike.

Për deputetin Igli Cara, përgjysmimi i kapaciteteve të hyrje-daljeve është një akt i paprecedentë dhe, sipas tij, kjo do të ndikojë negativisht, shkruan A2CNN.

“Do të krijojë pengesa të mëdha edhe në trafik, imagjinoni periudhën e pikut në verë. Imagjinoni pak kur të jetë e përgjysmuar”, tha Cara.

Deputeti demokrat kërkoi që ky projekt të ndalojë, pasi, siç tha, nuk i shërben qytetarëve.

“Unë nuk kam fjalë, por vetëm mund të them që është veprim antishqiptar. Do të rriten kostot, do të rritet koha e përpunimit të mjeteve dhe pyetja që bëjnë është kujt i shërben. Por si ka mundësi që vetëm për të bërë një pallat përgjysmohet fluksi i transportit të mallrave në Durrës?”, tha deputeti Cara.

Ndërkohë, Autoriteti Portual Durrës, në një njoftim për mediat, bën me dije se këto ndërhyrje janë pjesë e fazës së parë të zhvillimit infrastrukturor dhe përfshijnë gjithashtu rehabilitimin e aksit rrugor të dëmtuar, si dhe rikualifikimin e portës në një vendndodhje të re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos