Lea Ypi largohet e zhgënjyer: Mirupafshim Shqipëri, llaçin e shpifjeve ta kam lënë në derë

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 18:05 | Politikë

Lea Ypi largohet e zhgënjyer: Mirupafshim Shqipëri, llaçin e

Shkrimtarja Lea Ypi ka njoftuar mes notash zhgënjimi largimin e saj përfundimtar nga Shqipëria.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lea Ypi është shprehur se do të mbajë me vete çdo takim të këtyre ditëve, fjalët nxitëse, vërejtjet, komentet e kritikat e të rinjve, shkruan A2 CNN.

Ypi shtoi gjithashtu se kishte përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit, ku sipas saj, gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm.

Postimi i Lea Ypit:

Mirupafshim Shqipëri.

Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.

Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për tu përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës - të gjitha këto i mbaj me vete.

Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.

Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time. ❤️ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos