Përmbytjet në vend, Berisha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore

Nga Anesti Barjamemaj
7 Janar 2026, 15:16 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e përmbytura nga reshjet e shiut.

“Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve”, u shpreh Berisha, raporton A2 CNN.

Berisha thotë se edhe qeveria ka përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi, duke e akuzuar për keqmenaxhim. Para gazetarëve, lideri opozitar deklaroi se investimet për hidrovore janë bërë pa studim, ndaj dhe Durrësi prej më shumë se 24 orësh ndodhet nën ujë. 

“Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim. Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri demokrat iu rikthye akuzave ndaj Ramës për dosjen e AKSHI-t. Berisha e quan kryeministrin si kryemafioz dhe e akuzon se në bashkëpunim me Ergys Agasin ka vjedhur të dhënat e shqiptarëve për t’ua servirur vendeve jo mike të Shqipërisë. 

“Është kryemafiozi që ka vjedhur të dhënat personale të shqiptarëve. Që ka vënë në përgjim telefona, kompjutera, të të gjithë ambasadave në Shqipëri dhe përfaqësuesve të huaj. Që ka eksportuar tek armiqtë e NATO-s, të dhënat e NATO-s që i janë besuar Shqipërisë. Që ka eksportuar të dhënat më sekrete tek kartelet e drogës dhe organizatat kriminale”, theksoi kreu demokrat, raporton A2 CNN.

Situata në të cilën ndodhet vendi kërkon reagim, tha Berisha, ndaj sërish ftoi të gjitha forcat opozitare që të bashkohen në tryezën e organizuar prej ditës së premte, ku do të vendoset edhe data e protestës së radhës kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos