Lëvizje për të shmangur ‘bllokadën’ nga Greqia? Nurellari zbulon 2 skenarët e takimit Rama-Mitsotakis

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 22:45 | Politikë

Politologu Adri Nurellari dhe gazetari Aleksandër Çipa kanë komentuar takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut grek Kyriakos Mitsotakis, duke e parë atë në një kontekst më të gjerë gjeopolitik dhe diplomatik.

Nurellari I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, tha se afrimi i fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë lidhet edhe me zhvillimet në Mesdheun Lindor, ku është krijuar një bosht bashkëpunimi mes Greqisë, Qipros dhe Izraelit për çështjet e energjisë.

Në këtë kuadër, ai e sheh ndryshimin e toneve të Ramës si një lëvizje strategjike, që mund të synojë shmangien e pengesave nga Athina në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ai ngriti dy interpretime kryesore: nga njëra anë, përpjekjen e kryeministrit për t’u afruar me faktorë me ndikim në SHBA përmes Izraelit, dhe nga ana tjetër, një distancim të mundshëm nga Turqia, duke ripozicionuar politikën e jashtme shqiptare.

“Ka një zhvillim të ri gjeopolitik në Mesdheun Lindor që lidhet me kërkimin e gazit dhe naftës rreth Qipros dhe me krijimin e një mini-aleance mes Izraelit, Qipros dhe Greqisë. Nëse më parë kryeministri është parë shumë afër Turqisë, tani vihet re një zhvendosje dhe një afrimitet që nuk është vetëm simbolik, por ngrihet në nivel strategjik. Kjo mund të jetë edhe një përpjekje për t’i paraprirë çdo pengese që mund të vijë nga Greqia në procesin e integrimit europian”, u shpreh Adri Nurellari.

Ndërkohë, gazetari Aleksandër Çipa thekson se takimi mes dy kryeministrave dhe ai mes ministrave të jashtëm ka pasur agjenda të ndryshme, ndërsa mungesa e transparencës për përmbajtjen e diskutimeve ngre pikëpyetje. Ai vë në dukje se deklarata e Ramës për një “partneritet strategjik” nuk është konfirmuar zyrtarisht nga pala greke

“Protokollet ose kanë pasur vështirësi, por të paktën mediat shqiptare nuk e raportuan këtë. Mediat greke e raportuan që deri para se të ndodhte takimi i dy kryeministrave, gjë që u reflektua edhe në pjesën formale të takimit, kryeministri i Shqipërisë kërkoi një lloj ndjese për mungesën protokollare në paraqitje. Këtij detaji i kushtuan vëmendje mediat e palës tjetër”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos