Gazetari Lutfi Dervishi ka vënë në dukje diferencat mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit europian, në një kohë kur vendi fqinj është me një këmbë në BE, ndërkohë që Shqipërisë i duhet ende kohë e konsiderueshme në këtë proces.
Sipas gazetarit Shqipëria vijon të përballet me vonesa të lidhura kryesisht me faktorë të brendshëm politikë. Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Dervishi rikujton se në vitin 2006, kur Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), Mali i Zi ende nuk ishte shpallur shtet i pavarur.
Sipas tij, ky kontrast nxjerr në pah problematika të brendshme që kanë penguar progresin e Shqipërisë ndër vite.
“Ka një problem, s’është fushë me lule. Kur Shqipëria ka nënshkruar MSA-në Mali i Zi nuk ka qenë shtet, 2006. Pra në 2006 Mali i Zi nuk ishte shtet, u bë me referendum. Absolutisht është lajm i mirë që Mali i Zi po avancon. Çështja është te koncepti që ne kemi, ne s’do shkojmë në BE, s’është udhëtim, do qëndrojmë këtu, çështja është çfarë aftësie transformuese kemi ne për ta bërë Shqipërinë si BE.
Në kohën që Mali i Zi dhe Serbia po avanconin, për interesa të ngushta politike këtu mbetej peng, për ato tre ligjet e famshme. Shqipëria kishte një pozicion shumë të mirë. Të gjithë e dinë ku u gabua. U gabua te një çështje që zgjidhej për 6 minuta dhe mbajti peng vendin për 6 muaj dhe është krejt e qartë kjo gjë. Nuk besoj se kemi hapa prapa, por kemi ngecur. Plani ka qenë që këtë vit do mbyllim 16 kapituj, dhe do kalonim IBAR-in. Kapitujt do mbylleshin në 2026-2027-ën. Ne s’po i mbyllim kapitujt për shkak të problemit të vendeve anëtare dhe është çështje politike”. (A2 Televizion)