Një nga zërat më të njohur të politikës së jashtme amerikane, Ilan Berman, zëvendëspresident i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme në Departamentin e Mbrojtjes, ka folur ekskluzivisht në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, për sulmet ajrore të SHBA-së ndaj Iranit dhe qëllimet reale të kësaj ndërhyrjeje.
Sipas Bermanit, sulmi i urdhëruar nga Presidenti Donald Trump nuk synon ndryshimin e regjimit në Teheran, por ka si objektiv të vetëm ngadalësimin dhe shkatërrimin e programit bërthamor iranian.
“Ky konflikt është shumë i fokusuar te programi bërthamor iranian. Kjo nuk ka të bëjë aspak me ndryshimin e regjimit, por me kthimin mbrapsht të kapaciteteve bërthamore të Iranit sa më shumë që të jetë e mundur,” deklaroi Berman në“Off the Record”.
Ai paralajmëroi se ekziston rreziku që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen drejt një konflikti më të drejtpërdrejtë me Iranin, por theksoi se Presidenti Trump ka dërguar një mesazh të qartë për popullin iranian dhe udhëheqjen e tyre, duke lënë të hapur derën për bisedime dhe shmangie të një përshkallëzimi më të madh.
“Trump ia bëri të qartë popullit iranian që udhëheqja e tyre duhet të ulet në tavolinë për të shmangur pasoja të tjera. Qëllimi është parandalimi, jo përshkallëzimi,” shtoi ai.
Në lidhje me qëndrimet e aktorëve rajonalë si Arabia Saudite, Turqia apo Rusia, Berman tha se ndërsa këto vende po qëndrojnë zyrtarisht jashtë lojës, në prapaskenë po ndjejnë lehtësim për dëmtimin e kapaciteteve iraniane.
“Rajoni ka qenë i shqetësuar për programin bërthamor iranian, por ka zgjedhur të heshtë. Tani që programi është frenuar në disa faza, ndihen të çliruar,” tha eksperti amerikan.
Berman nuk përjashtoi mundësinë e një përshkallëzimi, duke përmendur si rreziqe sulmet ndaj bazave amerikane në rajon apo përpjekjet e Iranit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimin global me naftë.
“Nëse Irani ndërmerr këto veprime, do të përballet me pasoja të rënda për vetë regjimin e tij. SHBA-të po përpiqen të imponojnë këtë kuptim përmes forcës dhe qartësisë strategjike,” përfundoi ai. (A2 Televizion)