Zyrtari amerikan në A2 CNN: Zgjidhja për Gazën nis me përjashtimin e Hamasit nga shoqëria

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 22:54 | Bota

Zyrtari amerikan në A2 CNN: Zgjidhja për Gazën nis me

Zyrtari i lartë amerikan Ilan Berman ka komentuar zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, duke theksuar se konflikti ka hyrë në një fazë të zgjatur e rraskapitëse, që “ta thyen zemrën”.

Gjatë intervistës në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Berman theksoi se zgjidhja afatgjatë nuk mund të vijë pa një ndryshim rrënjësor brenda vetë shoqërisë palestineze, duke përjashtuar plotësisht Hamasin nga roli udhëheqës në Gaza.

“Konflikti në Gaza ka zgjatur shumë. Pika më e rëndësishme është ku dhe si mund të ndodhë ndryshimi. Ajo që duhet të ndodhë është një refuzim i Hamasit nga rrënjët e shoqërisë, ai nuk duhet të pranohet më si përfaqësues,” tha Berman.

Ai shtoi se një akt i tillë do të sillte një ndryshim radikal pozitiv në zhvillimet politike dhe humanitare në rajon.

“Nëse Hamasi përjashtohet nga Gaza, do të shohim ndryshime rrënjësore dhe më shumë stabilitet. Pa këtë, lufta do të vazhdojë,” deklaroi eksperti amerikan.

Sipas tij, pozicioni i Izraelit është i qartë: nuk do të ndalë ofensivën për sa kohë Hamasi mbetet i pranishëm në Rripin e Gazës.

“Izraeli do të luftojë derisa Hamasi të jetë ende prezent aty,” theksoi Berman, duke lënë të kuptohet se çdo përpjekje për armëpushim apo paqe të qëndrueshme do të jetë e vështirë pa një transformim të brendshëm politik në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos