Gazetari i njohur izraelit, Atilla Somfalvi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Off the Record” në A2 CNN, komentoi zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, duke e cilësuar Hamasin si shkaktarin kryesor të vuajtjeve të popullsisë palestineze dhe pengesën më të madhe për paqen.
Sipas tij, lufta do të përfundojë vetëm kur Hamasi të çlirojë Gazën dhe të mos jetë më faktor politik në këtë territor.
“Hamasi duhet të çlirojë Gazën dhe lufta përfundon. Ata po rrëmbejnë një territor dhe një popull të tërë. Gaza është marrë peng nga një organizatë terroriste,” u shpreh Somfalvi për gazetarin Andrea Danglli.
Gazetari izraelit akuzoi Hamasin për dhunë dhe abuzim të drejtpërdrejtë ndaj vetë palestinezëve, duke thënë se ata vrasin dhe persekutojnë civilë, përfshirë gratë, kur shpërndahen ndihma humanitare.
“Hamasi po qëllon njerëzit e vet, po i shkatërron nga brenda, vret gra dhe ndalon ushqimin. Kjo është një organizatë që i përdor civilët si mburojë,” tha ai.
Ai theksoi se dy hapa janë jetikë për përfundimin e luftës: Çlirimi i të gjitha pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi në Gaza. Shkatërrimi i plotë i Hamasit si entitet politik dhe ushtarak në këtë territor.
Në lidhje me akuzat për viktima civile nga ana e ushtrisë izraelite, Somfalvi e mohoi kategorikisht se forcat izraelite qëllojnë drejtpërdrejt mbi gra dhe fëmijë, duke theksuar se informacionet e tilla përhapen nga Hamasi për propagandë.
“Izraeli nuk qëllon fëmijë dhe gra. Ata janë viktima të taktikave të Hamasit, që fshihet pas civilëve dhe ndërton infrastrukturën e tij në spitale, shkolla dhe vende të mbipopulluara. Ky është realiteti i kësaj lufte,” deklaroi ai. (A2 Televizion)