Zyrtari i lartë amerikan në A2 CNN: Ja si mund të përfundojë konflikti mes SHBA-së dhe Iranit

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 22:44 | Politikë

Zyrtari i lartë amerikan në A2 CNN: Ja si mund të

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Ilan Berman, zëvendëspresident i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme në Departamentin e Mbrojtjes, ka bërë një parashikim të qartë për mënyrën se si mund të mbyllet përplasja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Sipas tij, fati i konfliktit varet plotësisht nga vendimi i udhëheqjes iraniane për programin e saj bërthamor. SHBA, sipas Bermanit, nuk do të kishte ndërmarrë veprime ushtarake pa prova të forta mbi përparimin e programit bërthamor të Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka qenë i vendosur që të mos lejojë krijimin e një Irani të armatosur me armë bërthamore.

“Nëse regjimi iranian pranon ofertën dhe bën koncesione reale për programin bërthamor, unë besoj se konflikti do të shuhet,” deklaroi Berman.

“Në të kundërt, nëse refuzon të ulet në tryezë, atëherë rreziku i përshkallëzimit në një konflikt në shkallë të gjerë është shumë i madh.”

Zyrtari amerikan theksoi se nuk ka asnjë diskutim aktual në Uashington apo në Jeruzalem për një ndryshim regjimi në Iran, por se i gjithë fokusi është te ndalimi i programit bërthamor të Teheranit.

Për Bermanin dhe administratën amerikane, topi është në fushën e Teheranit: të zgjedhë mes negociatave, ose një përplasje shumë më të kushtueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos