Arben Malaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, analizoi rezultatin e zgjedhjeve në Hungari, duke theksuar se ishte një “leksion politik”.
“Diktaturat munden vetëm me pjesëmarrje masive, sepse sa herë që pjesëmarrja është e vogël favorizohet ai që është në pushtet dhe ky është një leksion politik. Kështu që, fitorja erdhi pikërisht nga ky element që duhet të implementohet edhe në sfidat që ka Shqipëria. Pjesëmarrje sa më aktive. E dyta, ne e dimë që pushtetet absolute korruptohen në mënyrë absolute. 16 vjet në pushtet. Njësoj siç ka ndodhur me gjithë perandoritë, kam parasysh që Aleksandri i Madh i Maqedonisë nuk e humbi luftën se ushtarët nuk ishin të gatshëm të luftonin, por sepse filluan të ziheshin me njëri-tjetrin për ndarjen e pasurive të grabitura. Ky problem ndodhi edhe me Orbanin, i cili tentoi të kontrollonte të gjithë pushtetin. E treta, shkalla e korruptimit me fonde buxhetore ishte gati si në Shqipëri dhe BE-ja ia kishte bllokuar të gjitha dhe unë mendoj që skema që është realizuar në Shqipëri me IPARD 1 dhe IPARD 2, është kopja simetrike e skemës së Hungarisë. I kam lexuar me kujdes të dyja versionet”, tha Malaj.
“Sfida më e madhe ishte që këto nuk ishin thjesht zgjedhje për Hungarinë. Patjetër që kishin shumë rëndësi për atë vend, për ta orientuar nga një vend kundër vendimeve gjeostrategjike, gjeopolitike të BE-së, në një vend mbështetës të sfidave të BE-së. Dhe besoj që dominoja tjetër do të përfshijë Çekinë dhe Sllovakinë. Tjetra që duhet të mësojmë është që votën e vendos populli. Nuk e vendosin ata që bëjnë tifozllëk të krahut politik të njërit apo të tjetrit. Ishte vetë zv/presidenti amerikan që u angazhua për të mbështetur të djathtën ekstreme. Nuk pati asnjë influencë. Kështu që, në këtë aspekt është fitore për popullin hungarez, është fitore për BE-në, sepse BE-ja nuk mund të eci me këtë sistem ku një pjesë e liderëve të saj bëjnë lëvizje gjeopolitike kundër vetë BE-së. Dhe të mos harrojmë që është një nga përfituesit kryesorë të fondeve të BE-së”, shtoi Malaj. (A2 Televizion)